Pija nuk është shkaku i sjelljes së keqe

03/09/2011 09:05

Një studim nga kërkuesit e universitetit të Misurit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon se nuk është alkooli shkaku i sjelljes së keqe kur pijmë, por ai ndihmon në “zhdukjen” e turpit.

Sipas skanimeve të trurit që janë bërë për këtë studim, njerëzit e dehur janë të ndërgjegjshëm që po bëjnë një veprim të gabuar, por alkooli redukton sinjalet e trurit që ndihmojnë në ndalimin e kryerjes së veprimeve, veprime të cilat po të ishim esëll nuk do t’i bënim kurrsesi.

“Kur ne bëjmë gabim, aktiviteti në një pjesë të trurit që është përgjegjës për kontrollin e veprimeve tona rritet në mënyrë të ndjeshme. Kjo çon një sinjal në pjesët e tjera të trurit që tregon se diçka nuk shkon. Studimi ynë tregon se alkooli bën që njerëzit të mos e vrasin mendjen për veprimet e tyre edhe pse e dinë mirë që veprimet janë të gabuara”, shprehet profesori Bruce Bartholow, udhëheqësi i kërkimit.

Profesori mendon se alkooli është gjë e mirë për njerëzit e turpshëm: “Për njerëzit me probleme të ankthit dhe të turpshëm, pija do të ndihmonte në mënyrë që ata të mos mendonin shumë për gabimet e tyre. Një sasi e vogël alkooli mund të largojë tek këta njerëz frikën e dështimit, ndjenjë që e kanë me bollëk.”

Top Channel