Ilir Yzeiri – Ka disa ditë që në shtypin shqiptar dhe për hir të së vërtetës jo në të
gjithë shtypin shqiptar, por në mediat joqeveritare dhe në ndonjë
proqeveritare,  por me profil të ulët mediatik, po botohen materialet e
agjencisë së famshme “Wikileaks”.

 Në shqip është gjetur mjaft mirë fjala e duhur: materialet quhen kabllograme, një shenjë që të sjell në mend diçka nga koha e errët e konspiracionit komunist kur informacioni përmblidhej në fjalën kabllo. Pavarësisht kësaj,  rihapja e dosjes “Wikileaks” edhe në mjedisin shqiptar, nuk ka zgjuar ndonjë habi të madhe dhe,  për një pjesë të opinionit,  në të cilin bëj pjesë edhe unë,  ato nuk janë ndonjë befasi e madhe.  Kur në dhjetor të vitit të shkuar u mor vesh se rreshteri amerikan Mannings kishte vjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit një sasi gjigande informacionesh me siglën “konfidenciale” dhe ato ia kishte besuar australianit Assange dhe kur u deklarua prej këtij të fundit se ato do të bëheshin publike, gjithë bota u trondit.  Për herë të parë, siç shkruante në atë kohë Jacque Attali, gjithë bota u thirr për të reflektuar për një prej koncepteve filozofike nga më të vështirat: sekretin.

Po çfarë është një sekret?  Është një fakt që njëri e di dhe refuzon t’ia tregojë tjetrit. Është, pra, një element  marrëdhënieje. Që të kemi sekret, duhet që të kemi dy palë.  Ai që di më shumë se tjetri dhe që e ruan këtë sekret,  ka të drejtë të marrë vendime më të sigurta se ai që nuk e di atë fakt. Por ky reflektim ndoshta të çon shumë larg dhe mund të na largojë nga trualli i ngjarjeve tona. Nëse do t’i përmbaheshim asaj që thamë më sipër, kabllogramet  që u botuan dhe që po botohen këto ditë në një pjesë të shtypit shqiptar, nga një pikëpamje, nuk ishin sekret për opinionin shqiptar. Të gjitha raportimet që ka bërë Ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin e Shtetit,  janë tërësisht korrekte dhe gjerësisht të njohura nga opinioni shqiptar. Gjithë opinioni i shëndoshë në vend e di se çfarë përfaqëson kryeministri i vendit tonë. Për përfshirjen e tij dhe të familjarëve  në korrupsion  janë në dijeni të gjithë dhe media ka raportuar pothuajse për të gjitha aferat që i përmendin edhe diplomatët amerikanë në raportimet që bëjnë për shefat e tyre në Uashington. Temperamentin e tij dhe personalitetin e çekuilibruar e ka vënë re i madh e i vogël në këtë vend dhe fjalorin e tij horror e kanë parë dhe dëgjuar të gjithë. Pikërisht këtë gjë raportojnë me një farë droje dhe pezmi edhe diplomatët amerikanë. Nuk është e re edhe raportimi i diplomatëve amerikanë për dizinformimin dhe shtrembërimin e së vërtetës nga F. Lubonja në lidhje me gazetën “Tema”.  Unë vetë kam pasur rast ta provoj, atëherë kur u përfshiva në polemikë me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë për shkak të një shkrimi. Ishte ky që nxitoi i pari të shpallte se shkrimi im kishte racizëm dhe, me një servilizëm  u hoq më proamerikan se vetë amerikanët. Kur Bazes i digjnin makinën para shtëpisë dhe e kërcënonin me vdekje, foleja e gjarpërinjve nga ai me shumë dinjitet kishte dalë, ky njeri, u spiunonte diplomatëve amerikanë se kjo bëhet për arsye biznesi.  Ndërkaq,  injorimi që i bëhet në atë kabllogram këtij,  është vërtet i mrekullueshëm dhe tregon stil nga ana e hartuesit të atij kabllogrami. Po ashtu, ngjarjen e rëndë të Thimio Kondit e të F.Nanos e dimë të gjithë dhe në atë kohë edhe media pat raportuar se Th. Kondi kishte liruar një trafikant. Shkurt, kabllogramet janë jo vetëm korrekte,  por ato nuk janë sekret dhe nuk përbëjnë sekret për askënd. Ka qenë pikërisht kjo vetëdije dhe kjo atmosferë që ne të gjithë prisnim, që vendimet që do të merrnin ata që i dinin këto sekrete, të ishin të fuqishme. Mirëpo, ambasadori që erdhi pas zotit Withers dhe që vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën në detyrë, u shfaq me një profil tjetër. U duk sikur po merrte në mbrojtje një qeveri,  për të cilën kolegët e tij kishin raportuar gjithë këto që po botohen sot dhe që ne i dinim dhe i kishim njohur në atë kohë. Ne nuk e dimë se si është raportuar 21 janari në mënyrë konfidenciale në Uashington, por unë jam i sigurt se vrasësit janë quajtur me emrin e tyre të vërtetë. Nga gjithë panorama që bëhet sot për kryeministrin shqiptar dhe për ministrat e përmendur aty, të krijohet përshtypja se diplomatët amerikanë e kanë vizatuar kryeministrin tonë si një lloj Ben Aliu apo si një Gedaf ballkanik, sepse edhe ky i yni është despot, i korruptuar dhe ka vënë dorë mbi pasuritë publike të këtij vendi, është delirant dhe ekscentrik, përdor një fjalor horror, mbështet dhe mbron ministra të korruptuar, frikacak dhe këtu ata përmendin rastin çam. Pra, këtë portret ne e njohim dhe unë personalisht kisha parasysh gjithë këto kur në shkrimin tim për ambasadorin e sotëm të SHBA-ve në Tiranë shprehja rezervat e mia për mbështetjen që po i jepte ai kësaj qeverie. Por pas atij shkrimi, që u lexua nga miliona njerëz, unë, me urdhër të kryeministrit të vendit, u pushova nga puna, i dashur Ambasador, ndërsa kryeministri im vijon ende të qeverisë dhe të vjedhë votat në mes të Tiranës dhe të promovojë për kryetar bashkie njeriun që, sipas jush (diplomatëve amerikanë), duhet të ishte ndëshkuar në mënyrë shembullore nga drejtësia. Ju me të drejtë shprehni keqardhjen dhe madje shprehni rezerva edhe për punën e Ina Ramës, pse ajo u bë shkak që Lulëzim Basha të mos dënohej. Mirëpo sot, ai, me vota të vjedhura, është vënë në krye të bashkisë së Tiranës. Botimi i kabllogrameve në Tiranë përkoi me një ngjarje shumë të trishtë. Steve Jobs lajmëroi se tërhiqet nga drejtimi i Aple dhe se kanceri mund edhe ta mposhtë. “Koha sipas Jobs” e quante shkrimin e tij një dijetar modern i kohëve tona. Emri i tij të shtyn të kujtosh gjithë inovacionet e mëdha të historisë. Qysh se SHBA u dukën në skenën e Historisë, inovatori është përzier me industrialistin e madh:  Rockefeller, Edison, Ford, janë disa prej atyre që kuptuan se shpikja duhet t’i shërbejë tregut. Dhe në fillim ata revolucionarizuan jetën e burrave kur shpikën automobilin, pasta jetën e grave kur shpikën frigoriferin, lavatriçen, aparatin e televizorit. Steve Jobs, kjo figurë tragjike erdhi nga askush dhe nga askundi dhe pa asnjë lloj studimi të tregut, pa ekip, thjesht me intuitë ai e kuptoi se tashmë tregu ishte i të rinjve dhe se ata kishin nevojë për zbavitje. Ai e kuptoi se zbavitja nuk duhet të ishte e palëvizshme, ajo, ashtu si të rinjtë që janë në lëvizje, duhej marrë me vete dhe ai e përmblodhi të gjithën atë në një aparat dore. Revolucioni që kreu ai, pushtoi të gjitha tregjet. Mjaft të kujtojmë Kinën apo Indinë. Bota sipas Jobs, përfundon Attali, nuk është ende bota e së nesërmes, ajo është më e largët akoma, ajo është bota e pjesëmarrjes që do të bashkojë atë të Jobs dhe atë që do të ofrojë shërbime falas. Dhe në fund fare, në një artikull të një gazetari francez botuar në revistën franceze Express, ai duke folur me disa gazetarë francezë, i pyet:  përse Assange është përqendruar vetëm te SHBA? Përgjigja e gazetarëve francezë ishte: “Nëse do të shfletonte arkivat e KGB-së, ai do të përfundonte që të nesërmen me një plumb kokës”. Ndaj, në të gjitha rastet : This is America. Ky është edhe fati ynë që kemi në krah një shtet të tillë.  Kabllogramet e botuara tash së fundi treguan se ne kemi një aleat dhe mik të pazëvendësueshëm.  Në atë shtet të madh ne verifikojmë idetë dhe mendimet tona për lirinë.

Top Channel