Francis Ford Coppola: Hollivudi presione për “Kumbarin”

01/09/2011 11:45

Regjisori i Kumbarit, një prej më të medhenjve te historisë së kinemasë tregon per krijmtarine, punen dhe veshtiresite e hasura ne punen e tij shumevjecare.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri dhe të gjithë ju mirëpresin!

Faleminderit për këtë mikpritje. Shumë vite më parë, kur ende ishte ish-Jugosllavia dhe unë isha djalë i ri, po punoja në Dubrovnik për filmin “Përtej detit”. E pashë vendin tuaj që atje, po në atë kohë ishte e pamundur që unë të vija. Jam i lumtur që pas kaq vitesh,  jam këtu në Durrës për ju.

Dy filmat tuaj, “Tetro” dhe “Rini pa Rini” (shfaqen sot në Durrës) shënojnë një etapë të re në krijimtarinë tuaj. Çfarë do të thotë kjo?

Fillimet e mia ishin me shkrimin dhe teatrin. Ndoshta unë isha ai djali që ju të gjithë e keni njohur në shkollat e filmit, me shumë çelësa e llamba në duar. Një ditë, ndërsa po shkoja tek elektricisti vura re që ishte dikush tjetër që u thoshte aktorëve ku të shkonin e si duhet të vepronin. Aty mendova që shkrimi im mund të ishte i mirë, por unë duhet të bëja regjinë. Kështu  vendosa të kaloja nga teatri te kinemaja. Një nga ëndrrat e mia më të mëdha ka qenë që gjatë karrierës të shkruaja histori origjinale dhe pastaj t’i ktheja në një film. Shumë nga të rinjtë e brezit tim kishin të njëjtën ëndërr, por Hollivudit nuk i interesojnë këto tipe filmash. Unë realizova dy filma të parë personalë, “Biseda” dhe “Njerëzit e shiut”. Ishte e vështirë të gjeje dikë të financonte filma të tillë dhe në këtë moment, shoku im, vetëm dy vjet më i ri, Xhorxh Lukas më tha që duhet të gjeja një projekt që do të na sillte para. Mora në dorë një libër që m’u propozua dhe e ktheva në film: “Godfather” (“Kumbari”) që arriti një sukses më të madh se sa e kisha imagjinuar. Kjo nuk më bëri edhe aq mirë, sepse më tërhoqi nga ajo lloj regjie që doja të bëja, filmin e vogël. Tashmë unë isha një regjisor Hollivudi. Është një telash i madh, sa më i madh të jetë buxheti, aq më e vogël pesha e regjisorit në vendimmarrje. Edhe pse ata më kërkuan të bëja filma të mëdhenj, unë u mundova të bëja gjëra të jashtëzakonshme siç është “Apocalypse Now”. Nuk hoqa kurrë dorë nga dëshira për të bërë filma personalë. Ndërsa isha 67 vjeç, fillova të provoj t’u kthehem skenarëve personalë dhe shesheve të xhirimeve të vogla. Mosha 50-vjeçare ishte e preferuara ime dhe pse isha 67 vjeç, thosha jam 57. Tani jam diku te 62 (në të vërtetë). Tani bëj filma me histori origjinale dhe të tillë që të mund t’i financoj vetë dhe ata më bëjnë të mësoj diçka dhe më bëjnë të zbuloj diçka nga vetja, që mund ta ndaj me publikun. Jeta është e tillë që kur të kthehesh pas, të thuash bëra mirë që e realizova këtë, bëra mirë që guxova, sepse të jesh me flokë të bardha dhe të kthesh sytë pas e të thuash pse nuk guxova, kjo nuk është një ndjesi e mirë.

Nëse do të kishit mundësi të takonit dikë në këto shekuj civilizim, cili do të ishte?

Ka shumë shumë njerëz që do të doja të takoja meqë jam këtu, por sigurisht që do të doja të takoja dikë që i përket këtyre trevave. Doja të takoja Pirron. Mbreti Pirro ishte një nga mbretërit më premtues nga mbretërit e tjerë të periudhës helenistike. Ai e shijonte dhe ecte bashkë me filozofin e tij këshilltar. Në një bisedë të tyre, Pirro dhe filozofi patën këtë dialog: “Dua të shkoj të bëj një tjetër luftë e pastaj do të rikthehem  të bisedoj me ty e ta shijojmë këtë kopsht”, i  tha Pirro filozofit dhe ai iu  përgjigj “po pse duhet të ikësh kur mund ta shijojmë që tani?. – “Ka ca njerëz atje në Lindje, me të cilët duhet të luftoj”, tha sërish Pirro, por vajti dhe vdiq. Morali ishte që mos u largoni në këto luftëra, rrini në kopshtin që keni, punojeni dhe shijojeni.

Cilat janë avantazhet e të punuarit me pjesëtarët e familjes që janë të gjithë artistë?

Unë i kam dashur fëmijët gjatë gjithë jetës. Kur isha 15-16 vjeç në verë, isha konsulent drame në një kamp dhe punoja me fëmijët. Vendosa ta ndërtoja familjen time që kur isha 22 vjeç. Shumë djem e vajza këtu në sallë nuk kanë nxituar të martohen ende, duhet të nxitoni. E rëndësishme është që sillja artin Brenda. Vendosa me bashkëshorten që, nëse  shkoja në një shesh-xhirimi, ku xhirimet zgjasnin më shumë se dy javë,  do t’i merrja fëmijët me vete. Kështu unë i kam marrë fëmijët me vete në të gjitha vendet, Filipine apo Karaibe dhe kështu ata mësuan gjithçka rreth filmit, sepse u rritën në shesh-xhirim. U bë traditë familjare të eksperimentonim me realizime të vogla dhe unë jam krenar që ata kanë filluar të realizojnë gjëra të pavarura. Jo vetëm fëmijët Roman dhe Sofia, por edhe mbesa ime. Jo vetëm ata marrin nga kjo marrëdhënie, por edhe unë. Tani edhe bashkëshortja ime do të bëjë një film. Ajo është një nga operatorët më të mirë që njoh, që e mban kamerën në dorë, por duhet të nxitojë, sepse pas pak kohe nuk mund ta mbajë dot më.

Ju keni nxjerrë talente si Al Paçino deri te të rinjtë. Si arrini?

Sekreti, besoj, është se duhet të jesh i hapur dhe të pranosh atë që artistët të ofrojnë. Është njëlloj sikur shkon në një mbrëmje, takon njerëz simpatikë, të nesërmen dikush mbetet me ty. Kështu duhet të jesh edhe me aktorët. Kur ne jemi të rinj dhe pa komplekse e kemi artin dhe universin brenda nesh. Keni parë ndonjëherë ndonjë pikturë të ndonjë fëmije 1-vjeçar që nuk është e bukur? E rëndësishme është që këtë ndjenjë, këtë intuitë ta ruani brenda jush gjatë viteve dhe ta ushqeni gjatë gjithë kohës.

A ju ka vënë nën presion Hollivudi për të vazhduar “Godfather” e për të pasur një pjesë të katërt?

Ka pasur momente të vështira në jetën time kur kam mbetur pa para dhe kam pasur probleme mbijetese. Kanë qenë pikërisht këto çaste kritike kur ata më kanë thënë bëj “Godfather 3”. Mendoj se filmat e mirë nuk kanë nevojë për vazhdim, kjo është vetëm një strategji marketingu. Ka disa filma të mirë që duhet të kenë vetëm një pjesë. Me vullnetin tim do të kisha bërë vetëm një “Godfather” por bëra pjesën e dytë dhe disa vite më vonë, kur kisha nevojë për para, më ofruan të bëja pjesën e tretë, por tani ata nuk kanë aq para që të më detyrojnë të bëj diçka që nuk dua.

Cila ishte përvoja juaj për xhirimin e “Apocalypse Now” ?

“Apocalipse Now” ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Çdokush mendon se po të kesh dy-tre suksese të njëpasnjëshme në Hollivud, ti mund të bësh pastaj ç’të duash, por nuk është e vërtetë. Qëllimi im fillestar, përveç faktit historik që ky ka qenë i pari film që nisi të merret me luftën e Vietnamit, ishte që do bëja një film të madh e shumë të suksesshëm, që do të më jepte financat për të bërë në vazhdim filmat indipendentë që doja. Kështu guxova që shtëpinë time, deri edhe te llogarinë që kishte të hapur në një supermarket gruaja, t’i vija në bankë dhe vendosa ta financoja vetë. Por nuk e dija që ‘Apokalips Now” u shndërrua në një film gjigant, që zgjati dy herë më shumë, e kalova buxhetin me katër herë dhe isha 30-40 vjeç dhe kisha fëmijë, kisha blerë vreshta për të bërë verë dhe këto të gjitha i shkuan bankës. Isha në probleme të mëdha. Filmi bëhej gjithnjë e më shumë surrealist, ndërsa fondi fillestar ishte ai i një filmi të zakonshëm. Fillova të ndihesha i izoluar brenda vetes, sepse edhe nuk kisha fundin që doja. Isha i tmerruar, e humba pothuajse mendjen dhe kur u zgjova pas dhjetë vjetësh, filmi ishte shumë i suksesshëm. Atëherë e quajtën një film të çmendur, ndërsa sot konsiderohet një film klasik. Asnjëherë filmat nuk e marrin suksesin në kohën e duhur. U desh kohë që “Apocalipse Now” të pëlqehej pak nga pak. Tani do të më duhet të pres 20 vjet për të parë suksesin e këtyre punëve që do bëj, por unë atëherë do të kem vdekur. (Qesh)

Si është marrëdhënia juaj me kompanitë e produksionit që administrojnë paratë?

Kjo është arsyeja pse nuk merrem më me ta, i gjeneroj vetë paratë. Është më e thjeshtë t’i gjesh vet paratë i t’i menaxhosh se sa t’i bindësh njerëzit që i kanë të t’i japin për një film. Kjo më bëri të vendosja që duhet të gjeja një mënyrë tjetër për të gjeneruar paratë. Kështu që veprova njësoj si me kinemanë: mendova se çfarë pëlqenin njerëzit në Amerikë dhe kuptova që pëlqenin verën, ndaj ngrita një biznes të tillë. Këshillat që u jap regjisorëve të rinj janë: së pari duhet të martoheni dhe duhet të keni fëmijë. Kjo do t’ju motivojë, sepse do të keni një familje që duhet ta mbani dhe fëmijët nisin t’ju ndihmojnë. Nëse doni të vazhdoni me regjinë, ju duhet një punë e dytë. Ose mos pretendoni që të qenit regjisor do t’ju bëjë të pasur, vetëm do t’ju “grabisë”. Të qenit artist është privilegj dhe padroni i vetëm i juaji duhet të jetë vetvetja. Artistët më të mëdhenj kanë pasur një punë të dytë, që i ka mbajtur gjallë. Ndërsa për femrat që duan të jenë regjisore, të mos martohen. Edhe pse vajza ime, Sofia Coppola, sapo u martua në Itali. Po bëj shaka, të gjithë duhet të kënaqen.

Si e mbani gjallë imagjinatën tuaj?

Gjatë gjithë kohës jam aktiv, bëj shumë gjëra dhe nuk bëj asgjë. Më pëlqen të lexoj natën materiale që nuk kanë të bëjnë me projektin. Unë vëzhgoj gjithçka, jetën, fëmijët, sjelljet e tyre. Është mirë që nëse çdo mëngjes çohemi e shkruajmë mendimet tona, por nuk e bëj çdo ditë. Mendoj se regjisorët e rinj duhet t’i shohin veprat e vogla me një ose dy akte që të kenë mundësi t’i punojnë me miqtë e tyre. Kur them se kinemaja për mua është aktrimi dhe shkrimi, atëherë mendoj se është më mirë të punoni në këtë mënyrë se sa të prisni ngritjen e buxhetit. Tani teknologjia ju ka lehtësuar. Një kamerë që më përpara kushtonte shumë, tani mund ta blini për 10 dollarë e të provoni veten. Tani problem janë idetë.

Pasi keni shkruar një skenar, a i riktheheni?

Procesi i të rishkruarit nuk përfundon asnjëherë, mund ta rishkruaj edhe 500 herë një skenar. Edhe pasi kam filluar xhirimet, zgjohem herët në mëngjes dhe sërish ndryshoj diçka. Nuk mund të ketë gjë perfekte.

Sipas jush, a ka probleme Hollivudi?

Nëse më pyesni nëse kanë probleme filmat komercialë, do të thosha po, sepse po bëjnë të njëjtët filma vazhdimisht. Hollivudi është një sistem idesh. Vazhdimisht shohim të njëjtin tip heroi dhe ata duhet të punojnë ta ndryshojnë këtë.

Po marrëdhënia juaj me të vërtetën?

Një nga këshillat e rëndësishme që ndaj me të rinjtë është që, kur mbajnë shënime, të shënojnë datën, sepse vite më vonë do të jetë shtylla juaj kurrizore. Së dyti, mos gënjeni kurrë. Ka një arsye të thjeshtë, nëse gënjeni do të gjendeni në një kurth. Nuk keni pse të gënjeni, nëse dikush ju bën një pyetje që nuk doni t’i përgjigjeni, i thoni thjesht se nuk keni një përgjigje për këtë.

Pse hoqët dorë nga teatri?

Për mua kinemaja është një magji, nuk është se e kam braktisur teatrin, por në kinema kam mundësinë e eksplorimit dhe rritjes, kjo është arsyeja pse vazhdoj të bëj filma. Kur bën filma është njëlloj sikur të ngresh një pyetje dhe kur e mbaron, ti e ke gjetur përgjigjen.

A e shihni me pesimizëm të ardhmen e kinemasë?

Ne ishim me fat që u rrethuam nga influenca e kinemasë italiane dhe ajo që vinte nga pjesa tjetër dhe bëmë atë që sot quhet kinemaja e re moderne amerikane. Mos mendoni se kinemaja ka një periudhë ulje e do të jetë gjithmonë kështu. Jo, jo, kinemaja është si seksi, ndonjëherë duket sikur ikën, por është atje.

FOTO GALERI
3/3
Foto: Revista Anabel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA