Mbrojtja e monumenteve të kulturës

30/08/2011 16:00

Një nga vendet më të pëlqyera nga turistët në zonën e Vlorës është manastiri i Zvërnecit dhe kisha e Shën Mërisë.

Ato i përkasin shekullit të 13, ndërkohë që kanë fragmente murale që datojnë prej shekullit të 16 dhe janë ende funksionale. Ky objekt kulti bizantin mundi të rezistojë në 8 shekuj.

Manastiri i Zvërnecit si dhe kisha e Shën Mërisë dallohen për vlera unikale në fushën e ndërtimit dhe ka shumë interes si për studiuesit, ashtu dhe për pushuesit.

“Manastiri është i shekullit të 13. Ka vlera të mëdha nga ana e arkitekturës. Ka pasur shumë vizitorë edhe nga rregullimi i rrugës”, shprehet Imer Yzeiri, drejtor i monumenteve të kluturës në Vlorë.

Këto objekte janë nën kujdesin e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës por edhe të Kishës Ortodokse shqiptare.

“Kemi ndërhyrë në çati ku ka pasur lëvizje të tjegullave nga erërat dhe kemi ndërhyrë në pllakat dhe murin rrethues”, shton Yzeiri.

Po ashtu, në këtë manastir ndodhet dhe varri i Margo Posios, ku kosovarët që janë pushues në Vlorë janë të interesuar për të parë këtë varr.

Top Channel