Regjistrimi, Tahiri letër Topallit

24/08/2011 20:35

Deputeti socialist Saimir Tahiri i kërkoi zyrtarisht me anë të një letre kryetares së Kuvendit, zbardhjen e seancës kur u votua ligji për censusin.

Ai shkruan se ka dyshime për një proçedurë votimi të montuar.

Ndërsa në terren ka nisur puna për zbatimin e këtij ligji, në qarkun e Korçës, organizata e minoritetit grek kërkoi që të ketë përfaqësuesit e saj në grupet e regjistrimit.

“Në vëmendjen time, siç kam bindjen dhe Tuajën, por edhe më shumë të publikut, janë bërë të njohura fakte të cilat hedhin dyshime fort mirë të bazuara për zhvillimin e një procedure votimi të montuar, fiktive, të manipuluar e aspak në përputhje me vullnetin vetjak të deputetëve pjesëmarrës në seancën plenare të datës 7 korrik 2011 për miratimin e P/ligjit ‘Për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave’”, thuhet në letër.

“Me po aq vëmendje sa kam ndjekur këmbënguljen e përligjur të grupeve të interesit për të njohur të vërtetën bazuar mbi të drejtën kushtetuese të çdo individi për tu njohur me dokumentet zyrtare dhe veprimtarinë e institucioneve publike, ashtu si dhe debatin publik që ka shoqëruar këtë çështje, me po aq vëmendje kam ndjekur heshtjen tuaj dhe të administratës që Ju drejtoni, pa dhënë asnjë përgjigje dhe asnjë shpjegim”, shkruan deputeti socialist.

“Keni shkuar dhe më larg se kaq, duke lejuar shkeljen e afatit ligjor të parashikuar si detyrim absolut për çdo institucion publik në dhënien e informacionit zyrtar dhe bërjen e transparencës sa i takon, në këtë rast, pjesëmarrjes dhe votimit të deputetëve”, thekson Tahiri.

“Është detyrë e juaja të lejoni administratën të publikojë procesverbalin me të gjithë të dhënat dhe kjo pa humbur më shumë kohë, me qëllim shmangien e pasojave të një ligji tërësisht nul, që nuk duhet të kishte hyrë kurrë në fuqi për shkaqet e sipërpërmendura e që si i tillë nuk mund të prodhojë asnjë pasojë çfarëdo. Të paktën deri kur Ju dhe shumica juaj  parlamentare të vendosni ta votoni përsëri këtë ligj sesionin e ardhshëm, kësaj radhe pa vjedhur votat e deputetëve”, përfundon letra.

Top Channel