Policia ndërpret kërkimet për kokën e Liljana Arapit

18/08/2011 12:20

Policia e Korcës vendosi që të ndërpresë kërkimet për gjetjen e kokës së
viktimës, Liljana Arapi, trupi i së cilës u masakrua në mënyrë
cnjerëzore javën e kaluar.

Autori i ngjarjes tepër të rëndë akuzohet të jetë 84-vjecari, Gaqo Dumka, me të cilin viktima jetonte prej vitesh.

Vendimi i policisë për ndërprerjen e kërkimeve erdhi pasi mendohet që koka të jetë marrë nga kafshët. I akuzuari Dumka i tregoi policëve vendin ku kishte fshehur kokën, por ekspertët arriten të gjejnë vetëm një qese plastike me flokë të viktimës.

Një ditë më parë Gjykata e Korcës dha masën e sigurisë ‘burg pa afat’ për 84-vjecarin Gaqo Dumka, i cili është i akuzuari i vetëm per vrasjen dhe masakrimin e 42-vjecares Liljana Arapi.

Gjate seances, Dumka nuk pranoi ta kete vrare Liljana Arapin, por deklaroi se ajo u rrembye dhe u masakrua nga 3 persona. Më pas gjatë pasdites Dumka ndryshoi dëshminë e tij, duke pranuar autorësinë e vrasjes, me pretendimin se ajo i kishte vjedhur 300 mijë lekë të reja.

Hetimi për 84-vjeçarin konsiderohet si i përfunduar nga policia, që shprehet e bindur se nuk ka asnjë dyshim për faktin se Gaqo Dumka, është autori i vetëm i vrasjes dhe masakrimit të trupit të Liljana Arapit.

Ndonëse janë hedhur dyshime se në këtë krim mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë nga rrethi familjar i 84-vjeçarit, policia tha se i konsideron të mjaftueshme provat që vërtetojnë se Gaqo Dumka është autori i vetëm i vrasjes së bashkëjetueses së tij, 42-vjeçares Liljana Arapi.

Monstra i Korçës, merrte pension në Gjermani

Xhelozia dhe hakmarrja për “shpërdorimin” e lekëve të pensionit, janë motivet që kanë shtyrë 84-vjeçarin Gaqo Dumka, të masakrojë dhe gjymtojë 42-vjeçaren Liljana Arapi, me të cilën bashkëjetonte prej vitesh.

Kështu konfirmohet nga policia lokale, e cila dje ka zbardhur detaje të tjera të ngjarjes makabre që tronditi qytetin e Korçës, mbrëmjen e së premtes. Masakrimi i 42-vjeçares nga Bilishti, trupi i së cilës është tërhequr nga familja për t’u varrosur pa kokë, sipas burimeve të rezervuara të policisë lokale është kryer në mënyrë mizore nga autori, i cili, sipas të dhënave, ka qenë i dënuar në kamp përqëndrimi në Gjermani, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Dyshohet se periudha e internimit të tij në Gjermani, ka lënë tek i moshuari devijime psikike, që janë shfaqur në mënyrën se si është kryer masakrimi i 42-vjeçares Liljana Arapi. “Vrasja e 42-vjeçares nga Bilishti i Devollit, është kryer me gjakftohtësi dhe mandej 84-vjeçari me qetësi është përpjekur të fshijë gjurmët e krimit, por pa ia arritur të zhdukë çdo shenjë të tyre”, tha për gazetën “Shqip”, një burim i grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e ngjarjes. Policia ka mësuar se 84-vjeçari Gaqo Dumka ka qenë në një kamp përqëndrimi në Gjermani dhe për këtë arsye, përfitonte pension në formë dëmshpërblimi nga shteti gjerman.

“Ai kishte krijuar dyshime se gruaja me të cilën bashkëjetonte e tradhtonte me persona të tjerë, ndaj 84-vjeçari ka vendosur që ta vrasë në ambientet e brendshme të shtëpisë ku jetonte me qira, në lagjen 4 të qytetit të Korçës”, tha një drejtues i policisë lokale të Korçës, duke iu referuar pohimeve të të moshuarit pas arrestimit.

Top Channel