Gjirokastër, zjarri rrezikon fshatin Peshkëpi e Sipërme

14/08/2011 18:35

Rëndohet situata nga zjarri në fshatin Peshkëpi e Sipërme, në Gjirokastër.

Zjarri ka rrethuar fshatin dhe ka vënë në rrezik banorët, forcat e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët që ndodhen në vendngjarje.

Në vendngjarje kanë mbërritur 2 zjarrëfikëse me 20 trupa të ushtrisë që larguan rrezikun.

Por dëmet nga flakët, sipas banorëve, janë të pallogaritshme, kryesisht në bagëti.

Zjarret në rrethin e Gjirokastrës kanë qenë një problem i vazhdueshëm, por ditët e fundit flakët kanë zgjeruar hartën e tyre duke rrezikur madje edhe jetë njerëzish, si në rastin ku flakët iu afruan banesave në fshatin Peshkëpi e Sipërme.

Banorët fajësojnë neglizhencën e autoriteteve për përkeqësimin e situatës.

 

Digjen 3 banesa në fshatin Peshkëpi e Poshtme

Zjarri që nisi në një faqe mali i është afruar zonës së banuar dhe ka
djegur pjesërisht 3 banesa në fshatin Peshkëpi e Poshtme të
Gjirokastrës. 

Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë zonën përreth Peshkëpisë.

Ndërhyrja e zjarrfikësve është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.

 

Vazhdon lufta me zjarret


Në qarkun e Gjirokastrës, gjatë gjithë sezonit të verës janë evidentuar 37 raste të zjarrit, prej të cilëve 11 janë aksidentalë, 16 nga pakujdesia dhe 10 kanë rezultuar të jenë zjarre të qëllimshme. Këto janë të dhënat zyrtare të Policisë së Gjirokastrës, e cila vazhdon të jetë struktura kryesore që po ndihmon në shuarjen e zjarreve bashkë me zjarrfikësit. Ajo që spikat në deklaratën e policisë, nuk është se zjarret janë shuar, por është ndalimi dhe arrestimi i personave që u kanë vënë flakën kullotave dhe pyjeve me apo pa dashje.

Sipas informacionit zyrtar, Policia e Gjirokastrës thotë se janë ndaluar dhe arrestuar 6 shtetas si autorë të zjarrvënies me qëllim dhe po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 16 të tjerë si autorë të zjarrvënies nga pakujdesia.
 
“Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër është e vendosur të qëndrojë dhe të veprojë me të gjithë ashpërsinë e ligjit për të ndëshkuar dhe proceduar penalisht cilindo person, pavarësisht statusit, që do të rezultojë si autor i zjarrvënies me apo pa qëllim”, u shpreh zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës.

Gjatë rasteve të zjarrvënies, Policia e qarkut të Gjirokastrës ka angazhuar 25 mjete dhe mbi 200 efektivë, të cilët kanë ndihmuar jo vetëm në shuarjen e zjarreve, por edhe në shpëtimin e banorëve në disa fshatra në terren të thyer malor, ku zjarrfikësit nuk kanë ndërhyrë dot.  

Top Channel