Korriku përmirëson të ardhurat e qeverisë

13/08/2011 08:30

Të ardhurat e buxhetit të shtetit shënuan një tendencë pozitive gjatë
muajit korrik si pasojë e rritjes së të ardhurave nga tatim-fitimi dhe
taksat nacionale, ndërkohë që të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
vijuan të jenë zhgënjyese.

Statistikat paraprake të publikuara nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se të ardhurat e buxhetit qenë 182 miliardë lekë për periudhën janar-korrik të këtij viti, 2.3 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2010.

Duke marrë parasysh efektin e rritjes së taksave, si dhe rritjen e çmimeve me 3.6 për qind në korrik, të ardhurat e qeverisë në terma realë janë më të ulëta sesa vitin e kaluar. Gjithsesi, korriku rezultoi më pozitiv sesa muajt paraardhës, kur të ardhurat e qeverisë shënonin një rritje prej vetëm 1 për qind në krahasim me një vit më parë.

Të ardhurat e grumbulluara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ben te ditur “Shqip”, shënuan rënie neto në krahasim me një vit më parë. Duke qenë se TVSH është tatim mbi konsumin, të ardhurat e qeverisë prej saj tregojnë se konsumi i shqiptarëve ka rënë në krahasim me vitin e shkuar.

Qeveria mblodhi 63.5 miliardë lekë deri në korrik të këtij viti nga TVSH-ja, ndërkohë që pati arkëtuar 63.9 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Duke marrë parasysh edhe efektin e inflacionit, dhe nënçmimin e lekut kundrejt euros rezulton se konsumi real i shqiptarëve këtë vit është rreth 4-5 për qind më pak se një vit më parë.

Akciza, sërish negative

Edhe për muajin korrik, rritja e akcizës mbi duhanin që u krye në janar të këtij viti, nuk dha ndonjë ndihmë në të ardhurat e buxhetit. Të ardhurat nga taksa e akcizës këtë vit janë po aq sa kanë qenë një vit më parë, pavarësisht se akciza për cigaret është rritur nga 50 në 70 lekë për paketë.

Kompanitë e importimit dhe tregtimit të duhanit ia dolën të vendosin stoqe para hyrjes në fuqi të ligjit, pasi qenë njoftuar që nga qershori i vitit të kaluar për planin për rritjen e akcizës. Për këtë arsye, shqiptarët u përballën me rritje të çmimit të cigareve me 20-30 lekë, por kjo rritje çmimesh nuk shkoi në xhepat e qeverisë. Edhe sot në treg mund të blesh cigare që kanë pullë akcize me vlerë 50 lekë e në raste më të rralla edhe ato me akcizë 40 lekë.

Tatimi mbi fitimin

“Suksesi” më i madh i qeverisë gjatë këtij viti është rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin me 28 për qind këtë vit në krahasim me vitin 2010. Por duke qenë se tatimi mbi fitimin në Shqipëri parapaguhet, është e pasigurt nëse kjo rritje do të vijojë deri në fund të vitit. Taksat nacionale u rritën gjithashtu duke reflektuar rritjen e eksportit të mineraleve dhe rentës minerare që paguhet për to.

Shpenzimet në tërheqje

Ndërsa të ardhurat pësuan një përmirësim të lehtë në korrik, shpenzimet e qeverisë u ngadalësuan si pasojë e masave të kursimit. Për shtatëmujorin qeveria shpenzoi 213 miliardë lekë, me rritje 5.7 për qind në krahasim me vitin 2010. Deficiti buxhetor arriti në 30 miliardë lekë në korrik, nga 47 miliardë lekë që është plani deri në fund të vitit. Qeveria ka shpenzuar çdo muaj rreth 30 milionë euro më shumë sesa të ardhurat e veta.
 

Top Channel