Zgjedhja e Presidentit në vitin 2012, në kalendarin e OSBE-ODIHR

12/08/2011 12:40

Zgjedhja e Presidentit të ri të Shqipërisë do të monitorohet nga OSBE-ja
dhe ODIHR-i. Procesi, që pritet të realizohet në korrik të vitit 2012
do të monitorohet dhe nga ndërkombëtarët, edhe pse Presidenti nuk
zgjidhet me votim në popull, por nga votat e Parlamentit.

Në njoftimin zyrtar të ODIHR, për zgjedhjet në zonën e mbulimit të OSBE-së për vitin e ardhshëm janë përfshirë zgjedhjet e presidentit, që cilësohen si në mënyrë indirekte, të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit.

ODIHR ka përcaktuar një kalendar për monitorimin e zgjedhjeve në 16 shtete të botës, të cilat janë anëtarë të OSBE-së, ku ndër to përfshihet dhe Shqipëria.

Nën monitorim do të jenë dhe shtete të fuqishme dhe me një demokraci të qëndrueshme. “Finlanda, Rusia, Franca, Turkmenistani, Armenia, Islanda, Rumania, Sllovenia, Lituania, Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kazakistani, Bjellorusia, Gjeorgjia dhe Turqia janë shtetet që do të përfshihen në zgjedhje presidenciale nga populli, parlamentare apo dhe zgjedhje lokale, do të jenë objekt i monitorimit të OSBE-së dhe ODIHR-it.

Pas këtyre vëzhgimeve ndërkombëtare mbi mënyrën e procesit të votimit, pritet të mbahet dhe një raport. Nuk dihet ende nëse procesit të monitorimit për zgjedhjet e presidentit të Shqipërisë do t’i kushtohet një proces-raport, por e çuditshme është fakti se është përfshirë nën një monitorim ndërkombëtar, pasi zgjedhja e kreut të shtetit nuk është me një demokraci direkte, por me anë të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Ethet presidenciale në Shqipëri kanë nisur të ndihen, pasi edhe pse një vit larg, politika shqiptare ka nisur të diskutojë mbi personin që mund të jetë pesë vitet e ardhshme në krye të Presidencës shqiptare. Në bazë të Kushtetutës shqiptare, presidenti zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar të votave për pesë raunde dhe në rast dështimi, në atë të fundit ai zgjidhet me një shumicë të thjeshtë.

“Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 87 të Kushtetutës.

Top Channel