Shfaqet virusi i Nilit

11/08/2011 15:05

Pas vendeve të tjera të Evropës, përfshi dhe Greqinë, edhe Shqipëria ka
regjistruar për këtë vit, 2 rastet e para me virusin e Nilit perëndimor.(UPDATE)

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se 2 pacientët e moshës 40-45 vjec, janë nga Lezha e Laci dhe gjenden të shtruar prej dy javësh në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë nga sëmundja e rëndë e meningoencefalitit.

Sipas Binos përvec virusit të Nilit, gjatë periudhës së verës janë shfaqur dhe ethet hemoragjike të Kongo Krimesë dhe ethet hemoragjike me sindromën renal, prej së cilës ndërroi jetën këtë javë në QSUT një pacient 40-vjecar.Bino tha se këtë vit, vatrat e sëmundjes kanë qenë Burreli dhe Gramshi.

“Të dyja këto sëmundje që kanë për bazë vektorët. Kërkohet të luftohen vatrat e infeksionit”, tha Bino.

Ndonëse Instituti i Shëndetit Publik ka evidentuar disa zona të rrezikshme në Shqipëri, pushteti vendor nuk ka bërë asgjë për të shmangur infektimin e popullatës nga sëmundjet që kanë origjinën nga vektorët.

Instituti i Shëndetit Publik ka futur në kalendarin kombëtar të vaksinimit vetëm 2 vaksina për tu mbrojtur nga meningitet bakteriale si vaksina e pneumokokut dhe vaksina HIP.

Top Channel