FBI kërkon hetimin e pasurive të Almir Rrapos

10/08/2011 11:50

Nuk mjaftuan për të ndalimi, teksa doli nga territori i ambasadës së
SHBA-ve në Tiranë, ekstradimi drejt Amerikës, i kontestuar pafundësisht
nga mbrojtja, por Almir Rrapos do t’i verifikohen edhe pasuritë në
Shqipëri.

Shkresa ka mbërritur pak kohë më parë në duar të zyrtarëve të policisë shqiptare dhe prej aty, i është përcjellë Sektorit për Hetimin e Aseteve Kriminale. Në shkresën e dërguar nga organet amerikane të hetimit kërkohet ndihma e policisë shqiptare në verifikimin e pasurive të Almir Rrapos, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme, i cili akuzohet për disa vepra penale në ShBA.

Ai ka fituar statusin e të penduarit pak kohë më parë, por kjo nuk e përjashton nga hetimi i pasurisë, që dyshohet ta ketë vënë gjatë kohës që kryente aktivitetin kriminal. Inspektorët në terren po kryejnë verifikimet e nevojshme për të zbuluar pasuritë e Rrapos apo dhe llogaritë bankare.

Ata i janë drejtuar hipotekës, QKR-së dhe bankave të nivelit të dytë, për të marrë të dhëna për objektin e kërkimit të tyre. Deri tani nuk ka të dhëna për pasuri të zbuluara, por specialistët thonë se duhet kohë për të kryer verifikimet.

Ata përmendin edhe fakte nga hetime të mëparshme ku pasuritë e personave të dyshuar për aktivitet kriminal disponoheshin nga të afërm, që nuk i justifikonin ngritjen e tyre me të ardhurat që deklaronin. Hetuesit amerikanë janë në pritje të verifikimeve që do të bëhen nga homologët shqiptarë, të cilët janë në valën e punës për t’u dhënë atyre informacionin e kërkuar.

Verifikimi i pasurisë së Almir Rrapos, ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme, vjen pas zhvillimit të fundit ku ai ka pranuar shumicën e akuzave të lidhura me veprimtarinë kriminale në territorin e SHBA-së. Almir Rrapo ka fituar kështu statusin e të penduarit, teksa ka pohuar akuzat për ekzekutimin e Erion Shehut, rrëmbim personi, grabitje dhe shpërndarje marijuane.

Top Channel