Rriten kreditë e këqija

08/08/2011 15:20

Kreditë e këqija shënuan në tremujorin e dytë të vitit një rritje të
papritur, e cila ishte më e fortë edhe se sa në pikun e krizës.

Të dhënat zyrtare të publikuara së fundmi nga banka e shqipërisë tregojnë se në fund të qershorit borxhet e këqija në banka arritën në 16.61 për qind me një rritje prej 2.19 pikë përqindjesh vetëm brenda një tremujori. Me shifrat e fundit në cdo 100 lekë që bankat kanë dhënë kredi për individët dhe biznesin, 16.1 lekë janë të humbura ose kanë probleme të theksuara me shlyerjen.

Në vlerë borxhet me probleme në bankat private kanë arritur në rreth 85 miliardë lekë ose 850 milionë dollarë ose mbi 6.5 për qind e prodhimit kombëtar. Tremujori i dytë i vitit përkon me zgjedhjet, dhe klimën e rënduar politike që ato krijuan, të cilat duket se kanë prekur edhe disiplinën e individëve apo biznesit debitor në banka.

Por përtej shkaqeve që cuan në rritjen e tyre, fakt është se kreditë e këqija nuk po ndalen duke rrëzuar të gjitha pritshmëritë e bankës së shqipërisë për stabilizim të tyre që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Tani borxhet e pashlyera po shndërrohen në problemin kyc të sistemit financiar në vend. Bankat shqiptare mund ta përballojnë rritjen e borxheve të këqija edhe në nivele më të larta, për shkak të likuiditetit të bollshëm dhe raportit të ulët kredi depozita.

Por kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Për më tepër, rritja e borxheve të pashlyera mund të ketë pasoja të tjera në ekonomi duke i detyruar bankat të shtrëngojnë krediditimin dhe të rrisin interesat, në kushtet kur investimet dhen konsumi kanë rënë.   

Top Channel