Durrës, dy vatra zjarri

08/08/2011 19:25

Dy vatra zjarri, njëra në zonën kodrinore të Spitallës dhe tjetra në Gjirin e Lalzit, vunë në lëvizje zjarrfikësit dhe komunitetin për shuarjen e flakëve.

Thatësira e tejzgjatur dhe kushtet atmosferike të favorshme ndikojnë në përhapjen e zjarreve në zonat kodrinore të rrethit të Durrësit, ndërkohë që ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të papërshtatshëm.

Megjithatë, zjarri nuk ka shkaktuar dëme në njerëz dhe nga të dhënat paraprake rezulton se dëmi në shkurre nuk është i madh.

Paraprakisht dyshohet se zjarret janë shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, kryesisht pakujdesia apo djegia e mbeturinave.

Gjatë stinës së nxehtë, rreziku më i madh përvec atij për shkaqe natyrore, mbeten zjarret aksidentale dhe ato të vëna në mënyrë të qëllimshme për të siguruar më shumë kullota.

Rrethi i Durrësit numëron mbi 8500 hektarë pyje dhe kullota dhe zonat më të prekura nga zjarret ndër vite janë ajo e Ishmit, përfshirë dhe kurorën e gjelbër të Gjirit të Lalzit, zona e Currilave, e Spitallë-Porto Romanos dhe Gryka e minierës së Kamzës.

Problem në luftën me flakët mbeten territoret e vështira kodrinore pyjore, të cilat në mjaft raste janë të padepërtueshme nga mjetet zjarrfikëse.

Top Channel