KS miraton deklaratën për Sirinë

03/08/2011 21:25

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka arritur një marrëveshje mbi një deklaratë që dënon aktet e dhunës në Siri.

Lajmin e bëjnë të ditur burime diplomatike, sipas të cilave 15 vendet anëtare mund t’i japin dritën jeshile një dokumenti tjetër nëse anëtarët e përhershëm nuk kundërshtojnë.

Teksti, mbi të cilin është rënë dakord pas dy ditësh negociata, parashikon dënimin e përdorimit të forcës kundër civilëve.

Ai është miratuar në një moment kur tanket qeveritare kanë avancuar ndjeshëm në qytetin e Hamës, për të shtypur protestat e opozitës.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se të paktën 140 persona janë vrarë gjatë protestave, që prej ditës së diel, shumica e të cilëve në Hama.

Nga ana tjetër, presidenti Assad duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai ka premtuar reforma, por për dhunën ka fajësuar “grupe kriminale” të mbështetura nga fuqitë e huaja.

Top Channel