Britani, sekuestrohen 1.2 ton kokainë

03/08/2011 16:15

Autoritetet britanike të sigurisë kanë sekuestruar sasinë më të madhe të drogës që ka hyrë ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas BBC, lënda narkotike e llojit kokainë dhe e klasit “A” është bllokuar në një jaht luksoz në Southempton nga agjencia për kontrollin e kufijve.

Sipas burimit, agjentët kanë gjetur 1.2 ton kokainë, e cila në rrugë do të kapte vlerën e 300 milionë stërlinave.

Droga, rreth 90 për qind e pastër, ishte fshehur aq mirë në jahtin luksoz, sa agjentëve iu deshën gjashtë ditë për ta zbuluar.

Sipas autoriteteve, lënda narkotike vinte nga Venezuela dhe dyshohet se stacioni i ardhshëm i saj ishte Holanda, ku policia lokale ka arrestuar gjashtë persona.

Lidhur me ngarkesën ishin informuar edhe autoritetet franceze, në kohën kur jahti me emrin “Louise” ndodhej në Karaibe, por më pas ai u zbulua në Southempton.

Top Channel