Berlusconi: Ekonomia italiane, baza solide

03/08/2011 19:25

Kryeministri italian Silvio Berlusconi ka deklaruar se vendi nuk do të përfshihet nga kriza e borxhit që po mbyt Evropën.

Duke folur në Parlament, ai tha se ekonomia e Italisë dhe bankat e saj janë “solide dhe me aftësi pagimi”.

Deklaratat e tij vijnë pas rënieve të ndjeshme në bursën e Milanos dhe rritjes së detyrimeve financiare.

Ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës pritet të prezantojë një paketë masash anti-krizë me vlërë 43 miliardë euro.

“Italia ka një ekonomi me themele solide. Rritja e detyrimeve financiare ka ardhur si pasojë e një krize besimi tek tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Berlusconi.

Deri tani Italia ka arritur të shmangë problemet me borxhin e brendshëm, pavarësisht se ka një ndër më të lartët në përpjestim me GDP-në në Eurozonë, në kuotën 120 për qind.

Por ekonomia është dy herë më e madhe se ajo e Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës të marra së bashku dhe kërkimi i një ndihme do të ishte e papërshtatshme.

Top Channel