Lulzim Basha ka bërë betimin si kryetar i bashkisë së kryqytetit para Këshillit Bashkiak, i cili u konstituua në një mbledhje të gjatë që zgjati për afro 4 orë. (UPDATE)
Në fjalën e tij përshëndetëse, e cila u adresohej sa këshilltarëve aq edhe qytetarëve të Tiranës, Basha tha se Tirana nuk është pronë e asnjë partie dhe ajo nuk do të shndërrohet në arenë të luftës politike.
Basha renditi edhe prioritetet e programit të tij të punës në 100 ditët e para.
“Do nis punën, kam një program ambicioz në 100 ditët e para të qeverisjes, ku prioritet do të jenë ngritja e zyrës për mbrojtjen e konsumatorit, nxitja e biznesit, zgjidhja e cështjes së trafikut të Tiranës, hipotekimi dhe financat e bashkisë, që do të bazohen tek transparenca”, deklaroi Basha.
Në sallën e Këshillit Bashkiak, ku ndodheshin edhe disa prej ambasadorëve kryesorë në Tiranë, Basha është pritur me duartrokitje nga këshilltarët e djathtë dhe me indiferentizëm nga këshilltarët e majtë, të cilët nuk denjuan të coheshin në këmbë në momentin kur ai hyri, ndryshe nga këshilltarët e djathtë.
Ndonëse ishte e para mbledhje e Këshillit Bashkiak për këtë manadat, ajo nuk ka nisur aspak e qetë, pasi ka pasur kundërshtime të herëpashërshme përsa i përket rendit të ditës.
“Sapo ju thanë qytetarëve që kanë shkelur ligjin. Unë nuk jam i lidhur me manipulimin, prandaj mos përdorni gjuhë gangsterësh”, iu drejtua Aldrin Dalipi, kryetar i këshillatrëve të PS, këshilltarëve të PD-së.
Me votim të fshehtë anëtarët kanë votuar me shumicë votash, që i përket të djathtës, e cila numëron 28 anëtarë, Njazi Kosovrastin si kryetar të Këshillit Bashkiak.
Duke përfituar nga shumica në këtë këshill, edhe nënkryetari është zgjedhur nga e djathta, pasi PS numëron 27 anëtarë.
Pasi ka bërë betimin, kryetari i bashkisë Lulzim Basha është ngjitur në zyrën e paraardhësit të tij në katin e tretë, ku takimin e parë e pati me ambasadorët.
Ceremonia e betimit u parapri nga nje rit i vjetër mysliman, i cili në themelet e një ndërtese të re bën kurban një bagëti.
Dita e betimit të Bashës u shoqërua me bërjen kurban të një dashi në mjediset e jashtme të bashkisë, ndërkohë që një turmë njerëzish ishte mbledhur për të pritur ardhjen e tij në ndërtesën e bashkisë, në hyrje të të cilës ishte shtruar edhe tapeti i kuq.
Top Channel