Winehouse, zi në botën e muzikës

24/07/2011 11:45

Bota e muzikës i ka bërë homazhet e saj këngëtares Amy Winehouse, e cila u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Londër.

Producenti i dikurshëm i saj, Mark Ronson tha: “Ajo ishte shpirti im binjak për muzikën dhe si një motër për mua. Kjo është një nga ditët më të trishtuara të jetës sime”.

Ndërsa kantautorja amerikane, Carole King, hiti i së cilës “Will You Love Me Tomorrow” u këndua sërish nga Winehouse, tha se vdekja e saj është me të vërtetë tragjike.

Nga ana tjetër, policia londineze ka deklaruar se motivet e vdekjes së këngëtares janë ende të paqarta.

Fituesja e disa cmimeve ne botën e muzikës kishte probleme me vartësinë nga alkooli dhe droga dhe së fundmi kishte kaluar kohë në një qendër rehabilitimi.

Edhe producenti i rrymës hip-hop, Salaam Remi, i cili ka bashkëpunuar me Winehouse në albumet e saj “Frank” dhe “Back to Black”, ka shprehur dëshpërimin e tij.

“Një ditë shumë, shumë e trishtueshme. Sapo humba një shoqe të mirë dhe një motër. Të prehesh në paqe motra ime e vogël. Të dua përgjithmonë”, është shprehur ai në Twitter.

Top Channel