OSBE: Fund ngërcit politik

20/07/2011 15:00

Kryetari i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë,
ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azhubalis, në një deklaratë për
shtyp i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës që të rinisin
dialogun politik, për të ecur përpara me reformat.(UPDATE)

Polemika e vazhduar rreth procesit të ankimit pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme zgjedhore, por ajo ka treguar mbi të gjitha nevojën urgjente që dy partitë më të mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme.

“U bëj thirrje qeverisë dhe partive opozitare që ta kapërcejnë polarizimin dhe mosbesimin e thellë e t’i japin fund ngërçit politik në vend,” shkruhet në deklaratë.

Në emër të organizatës, ministri Azhubalis thotë se mbeten në pritje të vlerësimit përfundimtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR-i, zyre e cila mund të mbështesë këtë proces të reformës zgjedhore, por ndërkohë nuk mund të ketë asnjë vonesë në vendosjen e dialogut politik. Ky hap i parë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë Parlamentit.

Ministri lituanez, kryetar i radhës i OSBE-së, shprehet i gatshëm që zyra e organizatës në Tiranë apo edhe ODIHR-i të mbështesin qeverinë dhe partitë politike që të bien dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në mënyrë transparente, për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë edhe reformat zgjedhore.

Pas deklaratave të Komisionit Europian, organi ekzekutiv i Bashkimit Europian dhe përfaqësues për Politikë të Jashtme të Bashkimit, kjo tjetër thirrje tjetër për dialog ngjan në pamje të parë si një garë deklaratash mes institucioneve të ndryshme europiane. Mirëpo në fakt kjo përkthen edhe perceptimin e ndërkombëtarëve, se kriza politike në Shqipëri është reale dhe po pengon vendin të ecë përpara.

Top Channel