Countryman: Dyshime për Tiranën

17/07/2011 09:10

Pak ditë pas shpalljes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që rrëzoi ankimin e socialistëve për votat në Tiranë dhe kur ka përfunduar procesi, vjen reagimi i Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, zv/ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Countryman deklaron se Shtetet e Bashkuara kanë dyshime lidhur me mënyrën se si u zhvillua procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Tiranës.

“Ne kemi dyshime lidhur me mënyrën se si u zhvillua procesi i numërimit për njërën prej bashkive, atë më të madhen, Tiranën. Ne kemi dyshime rreth bazës ligjore për të vendosur mbi numërimin e një kategorie të caktuar votash. I kishim këto dyshime kur u mor ai vendim dhe përsëri i kemi sot. Ne e vlerësojmë faktin që Partia Socialiste e opozitës i ndoqi ankesat e saj përmes kanaleve ligjore, në atë mënyrë që parashikon Kushtetuta. Ne vlerësojmë gjithashtu faktin që Kolegji Elektoral i ka marrë vendimet e tij dhe tani po vijmë në fund të procesit”, thotë Countryman.

“Nuk është detyra e Shteteve të Bashkuara për të shprehur gjykime rreth secilit prej këtyre vendimeve në këtë proces të zgjatur numërimi. Ne e ndjejmë si detyrim ta ndihmojmë Shqipërinë ta kapërcejë këtë, për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të pastra, të besueshme dhe, mbi të gjitha, të zhvilluara në bazë të rregullave të qarta, të përcaktuara qysh përpara zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Jemi të gatshëm të punojmë me Bashkimin Evropian për këtë. Cështja e madhe sot është: a janë udhëheqësit e qeverisë dhe të opozitës të gatshëm ta bëjnë këtë? Midis viteve 2009 dhe 2011 ata nuk qenë të gatshëm ta bënin”, thekson ai.

Megjithëse zgjedhjet e 2011, sipas Countryman, ishin më të mira se në 2009, ai flet për një rast të humbur për popullin shqiptar, që nisi që prej zgjedhjeve parlamentare.

“Humbja e këtij rasti nuk ndodhi në maj 2011, por gjatë gjithë periudhës dyvjecare, nga viti 2009 deri më 2011, sepse vëmendja më e madhe u përqendrua tek dy partitë dhe mes dy udhëheqësve, tek rivaliteti mes tyre dhe shumë pak vëmendje te cështja se si mund të kishte Shqipëria sistemin më të fortë dhe më të besueshëm të votimit. Ka ardhur koha që kjo mendësi të ndryshojë dhe ne presim nga të dyja partitë, që këtë herë, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, të hartojnë rregulla zgjedhore, të cilat të jenë në të mirë të popullit dhe jo në të mirë të njerëzve dhe partive të caktuara. Mjetet për ta bërë këtë ekzistojnë. Është Komisioni i Venecias, është ODIHR-i. Nëse të dyja partitë janë të gatshme të pranojnë një rol aktiv të këtyre dy organizmave, atëherë nuk ka pse të mos jemi në gjendje të realizojmë një kod të qartë elektoral”, vlerëson Countryman.

Sa i takon rolit të Shteteve të Bashkuara, Countryman flet për ndihmë dhe shumë këshilla, por jo ndërmjetës, sepse dy zotërinj, sic thotë ai, nuk janë në gjendje të flasin me njëri-tjetrin me mirësjellje. Ky, thotë zyrtari amerikan, nuk është roli i komunitetit ndërkombëtar.

“Shqipëria ka një kushtetutë. Në shoqëritë demokratike kushtetuta dhe institucionet që ajo krijon janë garantuesit e lojës së ndershme në procesin politik. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të zëvendësojë Kushtetutën. Ne mund të ndihmojmë për të krijuar një situatë, në të cilën politikanë të pjekur nga të dyja partitë të flasin me njëri-tjetrin me mirësjellje, të ulen në të njëjtën dhomë dhe të bëjnë kompromise, kompromise të rekomanduara ndoshta nga komuniteti ndërkombëtar dhe, siç thashë, kjo do të përfshinte edhe ligje për zgjedhjet. Unë kam respekt të madh për zotin Rama dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën ai e trajtoi situatën e vështirë. Komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, por vlerësimi dhe zgjidhja duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë. Pra, cilat ishin rastet që ne humbëm në dy vitet e fundit dhe, në ç’mënyrë unë, si udhëheqës i qeverisë ose i opozitës, do të sillem ndryshe në dy vitet e ardhshme për të plotësuar kërkesat e popullit”, shton Countryman.

Top Channel