Italia kërkon dënimin e Ilir Pajës

15/07/2011 20:10

Mjeshtri i arratisjeve Ilir Paja pasi i mbylli hesapet me drejtësinë shqiptare duke u dënuar për vrasje të mbetur në tentativë të një polici në Tiranë, i rikthehet sërish gjykimit për disa ngjarje për llogari të drejtësisë italiane.

Prokuroria e krimeve të rënda pasi ka grumbulluar provat materiale të dërguara me letërporosi nga Italia ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar në gjykatën e krimeve të rënda këtë kërkesë për gjykim ndaj Pajës duke e akuzuar atë për shtatë vepra penale, më të rëndat prej të cilave për vrasje me dashje në Itali, vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim, rrëmbim dhe mbatje peng të personit dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura.

Ilir Paja u arrestua në Itali në 2005 pasi Gjermania kishte lëshuar mandat arresti për të për akuzën e vrasjes.

Por kur Paja u arratis nga burgu i Perugias rezulton e provuar, thotë Prokuroria, se gjatë jetës në arrati në Milano shqiptari nga Kuçova ka kryer disa vepra të rënda.

Në 2006 në Milano, sipas një grindjeje midis disa shtetasve nga Ekuadori dhe Ilir Pajës e Gentian Makshias, Ilri Paja thotë Prokuroria ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të dy personave ku ka humbur jetën Gonzalo Ramirez dhe mbeti i plagosur Enrike Erelana.

Konfilkti, sipas akuzës, ka ndodhur pas ngacmimeve që dy shqiptarët i kanë bërë një femre ekuadoriane në kohën që ajo ishte nën shoqërinë e familjes së saj.

Por menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rënde Ilir Paja dhe Makshia, thotë Prokuroria, janë larguar me makinën e tyre rrugës duke u kthyer në banesën ku strehoheshin kanë rrëmbyer me dhunë e forcë një 19 vjeçare rumune dhe e kanë mbajtur ne banesën e tyre ku dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhune.

Me tej – thotë Prokuroria – dy shqiptarët kanë shkuar edhe në dalje të Novarës ku kanë kontaktuar me një grup endacakësh të cilëve u kanë kërkuar ndërrimin e automjetit të tyre me një mjet tjetër tip “Audi”.

Për të gjitha këto, por edhe për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake Prokuroria ka kërkuar edhe masë tjetër sigurimi personal arrest me burg derisa gjykimi të startojë.

Kjo masë shtrënguese është caktuar për të parandaluar daljen në liri të Pajes pasi ai për pak javë përfundon dënimin për ngjarjen tek farmacia 10 ku mbeti i plagosur rëndë një oficer policie gjatë një aksioni për arrestimin e të shumë kërkuarit që mban në CV-në e tij mes të tjerash  një kurrikulum me dy arratisje të bujshme në Itali, njëra prej të cilave nga një ambulancë dhe tjetra me çarçaf nga qelia.

Top Channel