Rama: Zgjedhjet u grabitën me vulë gjykate

14/07/2011 21:40

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se nuk e priste këtë “grabitje” masive të votave që sipas tij u bë në Tiranë.

Duke folur në emisionin “Top Story”, Rama është shprehur se nuk pendohet për rikandidimin për bashkinë e kryeqytetit, të cilin thotë se e ka fituar.

“Gjasat që ajo që ndodhi të ndodhte ishin të ulëta. Në rast se do të ishim në një moment normal, nëse do kishim një garë normale, nuk do kisha arsye të kandidoja për bashkinë e Tiranës. Por pikërisht sepse beteja do të ishte ashtu sic ndodhi, për shkak të një koalicioni të gjerë të pushtetshmish për të marrë me cdo cmim bashkinë e Tiranës, unë zgjodha të bëj atë që bëra, për të cilën nuk pendohem por jam krenar”, ka pohuar Rama.

“Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë. Tashmë e kemi me vendim gjykate që për këtë pushtet dhe në këtë shtet aritmetika nuk është shkencë ekzakte, por shkencë politike. Kemi një manipulim të vullnetit të zgjedhësve, me një sërë instrumentash të përdorur në mënyrë të paligjshme, që nga kartat, fletët e votimit dhe paraja e pistë, që u derdh lum”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, fitorja e PS në kryeqytet është grabitur nga kryeministri Berisha, përmes një sistemi korruptiv që sipas tij ka përfshirë edhe institucionet kushtetuese.

“Ne i fituam zgjedhjet, Saliu i grabiti në tavolinë dhe i mori nën tavolinë. Sot ne kemi fituar shumë më tepër se 4 vite më parë. Kemi arritur një fitore në gjithë Shqipërinë si asnjëherë më parë, ndërkohë që nga ana tjetër rezultati i ashtuquajtur zyrtar nuk është gjë tjetër vecse një vjedhje e vulosur në gjykatë”, ka nënvizuar Rama.

Ai ka theksuar se me pushtetin aktual, Shqipëria i ngjan më shumë një regjimi fashist dhe diktatorial, të cilin opozita do ta luftojë me cdo kusht.

“Sot Shqipëria është një vend me fashizëm oriental. Këtu ne duhet të ndalemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Këtu bazohet aksioni ynë politik. Sot kemi institucione të shpërfytyruara dhe një vend të ngjashëm me regjime që bota demokratike nuk i ka pjesë të vlerave të saj. Jemi në një diktaturë para faktit të kryer, që në jetën e qytetarëve shqiptarë shpërfaqet në cdo derë të qytetit, të gjykatave dhe cdo hap ku qytetari ka nevojë për ndihmën e shtetit”, është shprehur Rama.

“Sot shteti nuk është i qytetarëve, por i një pushteti që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe shqiptarët. Mendoj se unë, ashtu si dhe PS dhe opozita jemi problem për regjimin. Jemi një problem i madh që regjimi, pavarësisht gjithë përpjekjeve dhe dhunës së ushtruar brutalisht në KQZ e Kolegj, nuk do ta zgjidhë dhe do jetë i detyruar të largohet”, ka vijuar ai.

Lideri i opozitës, që pretendon fitoren e mandatit të katërt në Tiranë, ka shtuar se PS do të vazhdojë betejën e saj ligjore për të shfuqizuar grabitjen e zgjedhjeve, sic thotë ai. “PS do të ndjekë të gjithë hapat e nevojshëm për betejën ligjore të saj”, ka shtuar Rama.

Top Channel