Pollo: Mediat, kompetencat nga Kushtetuta

13/07/2011 19:10

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka deklaruar se kompetencat që i jep ligji i ri për mediat nuk i ka caktuar ai.

Në një intervistë për VOA, Pollo ka nënvizuar se ligji i ri është hartuar nga Parlamenti, institucion ky që ka kërkuar më pas opinionin e tij.

“Projektligji për mediat nuk është përgatitur as nga unë, as nga qeveria, por i përgatitur nga komisioni parlamentar i medias, që na ka kërkuar një mendim. Ministri përgjegjës ato kompetenca që ka i ka në bazë të Kushtetutës, nuk ka asnjë tjetër. Këto komente kanë të bëjnë nga mosnjohja e ligjit”, ka pohuar Pollo.

Ndërsa përsa i përket ligjit të regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike, Pollo ka saktësuar se bëhet fjalë për një ligj shumë të rëndësishëm për vendin.

Ministri ka saktësuar se ligji në fjalë garanton sigurinë e të dhënave personale dhe u lejon qytetarëve që të mos u përgjigjen pyetjeve mbi etninë dhe fenë.

“Ligji, censusi, është miratuar dhe në tetor do ndodhë ky proces shumë i rëndësishëm për vendin. Ky proces, që bëhet bashkë me BE, mbahet një herë në 10 vjet. Kemi një bazë ligjore të modernizuar dhe garanci se të dhënat personale do të ruhen”, ka pohuar Pollo.

“Sa për përkatësinë etnike dhe fetare, nëse një banor pyetet, ai ka të drejtën kushtetuese të refuzojë të përgjigjet. Gjithashtu, të dhënat janë mbledhur gjatë kohës së mbretërisë dhe komunizmit dhe nuk shoh arsye përse të mos mblidhen në demokraci”, ka shtuar Pollo.

Top Channel