Lezhë, dy të vrarë

13/07/2011 08:00

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të mbrëmjes në fshatin Kallmet, në vendin e quajtur Rruga e Dilicës. UPDATE

Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e gjuajtjes me armë gjahu. Viktimat quhen Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri, përkatësisht të moshave 55 dhe 50 vjeç janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Si shkak i këtij konflikti, sipas burimeve në vendngjarje por edhe policisë, ka qenë një konflikt pronësie.

Dy personat banonin pranë njëri-tjetrit ndërsa po sipas burimeve jozyrtare mësohet se konflikti ka qenë më i hershëm dhe gjatë të martës thjeshtë është ripërsëritur, por me pasoja fatale. Sherri nuk ka mbetur vetëm në nivel fjalësh pasi dy personat kanë marrë armët e gjahut.

Fillimisht, sipas burimeve policore, u mësua se dy personat kishin gjuajtur njëri-tjetrin ndërsa pas hetimeve të mëvonshme, të njëjtat burime konfirmojnë se rrjedha e ngjarjes mund të jetë ndryshe. Pasi fillimisht ka qenë Pjetër Pjetri i cili ka vrarë me armë Preng Brungën, ndërsa më pas i biri i viktimës, 21-vjeçari Ylli Brunga, ka gjuajtur mbi vrasësin e babait të tij, Pjetër Pjetrin.

Fillimisht Pjetri është nisur për në spital në gjendje të rëndë dhe gjatë rrugës për në spital ka gjetur vdekjen. Blute e Lezhës konfirmojnë se autori i dyshuar për vrasjen e Pjetër Pjetrit është Ylli Brunga, por të njëjtat burime theksojnë se hetimet vazhdojnë.

Deri tani është gjetur vetëm një armë gjahu, ndërsa tjetra jo.

Top Channel