Bankat, dëmi 20 miliardë lekë

12/07/2011 16:25

Humbjet financiare të bankave nga mosekzekutimi i hipotekave llogariten
tani në 20 miliardë lekë. Shifrën e zbardhi ministri i Financave,Ridvan Bode, i cili
tha se ky nuk është dëmi i vetëm që ekonomia po pëson.

“Treguesit e përformancës të sistemit bankar, janë prekur nga mungesa e ekzekutimit të shpejtë kolateral. Kreditë e këqija janë rritur ndjeshëm dhe një rol të konsiderueshëm në këtë tregues ka luajtur pamundësia e bankave për të tërhequr garancitë. Mbi të gjitha impakti mbi besimin është ndër më të rëndësishmit”, tha Bode.

Por kreu i Financave tha se një sistem gjykatash dhe përmbarimi, i paaftë të ekzekutojë pengjet rrezikon më shumë se kaq.

“Bankat administrojnë depozitat e qytetarëve dhe kur është fjala për të ekzekutuar kolateralin nuk është fjala për të mbrojtur interesat e një biznesi privat, por ka një impakt të gjerë publik, interesin për të mbrojtur depozitat e qytetarëve të vendit”, tha Bode.

Pamundësia e bankave për të mbledhur detyrimet përmes garancive, është shndërruar në shqetësimin kryesor të bankës qëndrore. Guvernatori Ardian Fullani listoi disa nga shkaqet, që sipas bankave private, e kanë cuar sistemin në ngërc.

“Zgjatja e procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm, marrja e masës së pezullimit të veprimeve përmbarimore nga ana e gjykatës pa u plotësuar kriteret ligjore të depozitimit të pronave, deri në një injorimin e argumentave të bankës, mosthirrja e bankave si palë të treta duke shkelur parimin e procesit të duhur ligjor, për më tepër vërehet se mundësia e pezullimit të proceseve gjyqësore, deri në marrjen e formës së prerë, rriten me rritjen e shumave që janë në proces ekzekutimi dhe kundërshtimi”, tha Fullani.

Aktualisht kreditë e këqija në Shqipëri llogariten në rreth 15 për qind të totalit, një shifër kjo mbi 70 miliardë lekë.
 

Top Channel