Rikthehen protesta dhe përleshjet e dhunshme në Egjipt. Mijëra persona protestuan para gjykatës në Suez pas vendimit të saj për lirimin e shtatë policëve të akuzuar për vrasjen e protestuesve gjatë manifestimeve për largimin e ish-presidentit, Hosni Mubarak.
Protestuesit u përleshën me rojet e sigurisë dhe arritën të kalojnë një kordon policor. Më pas ata u drejtuan autostradës që lidh qytetin me pjesën tjetër të vendit, duke e mbajtur atë për orë të tëra të bllokuar.
Shtatë policët, u akuzuan se vranë 17 persona gjatë protestave të dhunshme që cuan në rrëzimin e Hosni Mubarak. Por gjykata vlerësoi se ata ishin të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tyre.
Në Egjipt vazhdon të rritet tensioni lidhur me një seri gjyqesh që po zhvillohen kundër policëve dhe ish-drejtuesve të lartë të forcave të sigurisë që akuzohen si përgjegjës të vrasjes së dhjetra protestuesve në fillim të vitit.
Top Channel