Presidenti i Republikës Bamir Topi shpreson që ‘Shqipëria të
marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pasi të jenë
plotësuar kriteret e duhura e të jete kapërcyer ngërçi i stërzgjatur
politik duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke
respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtetuese’.
Në një takim pune me ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Polonisë në Tiranë, zonjën Irena Tatarzinska, vendi i së cilës sapo ka marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, e ku ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui, Topi theksoi se objektiv mbetet përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane
Sipas njoftimit zyrtar të presidencës, ambasadorja polake Irena Tatarzinska, i parashtroi Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, ku më kryesoret do të jenë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.
Top Channel