PS: Ja provat e manipulimit

30/06/2011 19:40

Kërkesë-padia e Partisë Socialiste e dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor përmban elementë të detajuar që sipas socialistëve provojnë shkeljet ligjore të KQZ dhe manipulimet e kryera me rezultatin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Në padinë e tyre socialistët kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe rrjedhimisht në të gjithë zonën zgjedhore Tiranë.

Ekspertët e selisë rozë e vënë theksin tek fakti që numri i votuesve që kanë votuar është 256.507, ndërsa numri i fletëve të gjendura në kuti është 257.377, me një diferencë prej 870 fletësh më shumë sesa votues.

Nga ky total i votave të gjendura në kuti, shuma e votave të pavlefshme është 5.362. Pra, rezulton, sic thuhet në material, se janë 626 fletë votimi më shumë në kuti se gjithë fletët e votimit që janë vlerësuar, të cilat minimalisht japin rezultatin se 626 vota nuk janë vlerësuar.

Ndërkohë, sipas përllogaritjeve dhe analizës së ekspertëve socialistë, rezulton se nga fletët e vlerësuara ka 244 votues më shumë sesa fletë votimi.

Në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste thuhet më tej se të gjitha këto kontradikta dhe mospërputhje të pasqyruara në tabelën përmbledhëse të rezultatit zgjedhor e bëjnë këtë akt të pasaktë dhe të paligjshëm.

Socialistët theksojnë se tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve e miratuar nga KQZ nuk është një dokument i ligjshëm, pasi përmban të dhëna jo sipas Kodit Zgjedhor.

Dokumentacioni zgjedhor, materiali zgjedhor dhe të dhënat në lidhje me më shumë se 284 qendra votimi nuk janë në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.

Diferenca prej 93 votash ndërmjet kandidatit të shpallur fitues dhe kandidatit të radhitur i dyti, është shumë herë më e vogël se numri i zgjedhësve të qendrave të votimit ne të cilat dokumentacioni dhe materiali zgjedhor është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe shumë herë më e vogël se numri më tepër i fletëve të votimit të gjenduara në kuti krahasuar ky numër me atë të votuesve që kanë votuar në këto qendra votimi.

Më tej thuhet se diferenca ndërmjet votave të vlefshme dhe votave të pavlefshme me numrin e zgjedhësve për bashkinë Tiranë në 109 QV është 248 fletë votimi më shumë se zgjedhës. Pra, 248 vota që nuk u përkasin vullnetit të zgjedhësve. Ndërsa në 175 QV të tjera është 506 fletë votimi më pak se zgjedhës. Pra, mungon vullneti i 506 zgjedhësve.

Sipas PS, rezulton se për 40 qendra votimi ku rezultati ka qenë i balancuar, ato janë transformuar në kuti me më shumë fletë votimi se zgjedhës, në total 75 fletë më shumë.

Ndërkohë, me 99 qendra të tjera ka më pak fletë. Në kërkesë-padi janë përfshirë edhe prova filmike për të cilat socialistët kanë dhënë një shembull për të demonstruar atë që ka ndodhur.

Kutia 1941 fillimisht ishte e balancuar, 517 zgjedhës për 517 vullnete, por më pas pretendon se pas datës 14 maj KQZ ka gjetur 4 fletë të tjera për kryetar bashkise në një kuti tjetër.

Kur në fakt edhe nga pamjet filmike duket se të gjitha fletët janë të verdha dhe gjithcka e balancuar, por ndërhyrja e KQZ ndryshon balancat duke dhënë rezultat 517 zgjedhes për 521 vullnete.

Si këto shkelje socialistët kanë dhënë prova në një dokument me 65 faqe edhe për shumë kuti të tjera. Socialistët cmojnë se nuk mundet të shpallet fitues një kandidat me 93 vota më shumë se kandidati tjetër, në kushtet kur ka fletë votimi më shumë në kuti se votues dhe kjo është disa herë më e larte se diferenca e votave ndërmjet kandidateve.

Sipas socialistëve, këto fakte dhe shumë të dhena të tjera të detajuara në materialet voluminoze u japin atyre të drejtë në kërkesën e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve.

Top Channel