Judah: Kriza, e rëndë për Shqipërinë

16/06/2011 19:55

Gazetari britanik i prestigjozez “The Economist”, Tim Judah është një vëzhgues i ftohtë i zhvillimeve në Ballkan duke sjellë artikuj të sikletshëm për politikbërësit e rajonit, këto 20 vitet e fundit.

I tillë është edhe gjatë një interviste për Top Channel ku ai prerë thotë se për aq kohë sa Shqipëria nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje lokale të pranueshme nga palët, të parët drejt Bashkimit Europian kur tashmë diplomatëve të Brukselit i ka ardhur në majë të hundës me Shqipërinë është diçka përtej pritshmërive reale.

Fillimisht Tim Juda flet për situatën poltike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 8 majit.

TJ – “Unë mund të reflektoj mendimet e shumë të huajve që ndjekin se çfarë po ndodh në Shqipëri. Të gjithë ne jashtë Shqipërisë jemi shumë të zhgënjyer. Deri në vitin 2009, Shqipëria bëri një progres nga ato vite kaotike që kaloi gjatë vitit 1997 dhe më pas. Që prej vitit 2009 gjërat për Shqipërinë po shkojnë gjithnjë e më keq. Por ishte një lloj shprese që siç është treguar në Shqipëri se kjo gjendje statuskuoje mund të thyhej nëse njëra apo tjetra palë do të fitonte në zgjedhje gjë e cila do të qartësonte panoramën politike. Siç të gjithë ne e dimë, kjo nuk ka ndodhi dhe situata është përkeqësuar. Të jem i sinqertë me ju shikoj shumë njerëz të cilëve kur u përmend fjala Shqipëri se kanë me qejf të flasin për të, ndjehen të zhgënjyer”.

Atikulli më i fundit për “The Economist” nga Tim Judah mbante  titullin “Të gjithë të lodhur nga Shqipëria” ku ai citon një diplomat nga Brukseli. Dhe Judah nuk e fsheh se ky nuk është një mendim i një personi të vetëm, por një atmosferë e përgjithshme në Komisionin Europian për Shqipërinë.

TJ – “Burimi të cilit i referohem në shkrim ishte një diplomat i rangut të lartë në Komisionin Europian që normalisht nuk do t’ja them se kush është ai. Në përgjithësi diplomatëve në Bruksel i është sosur durimi janë të mërzitur pasi ata kanë kërkuar një diçka minimale për një vend demokratik bërjen e zgjedhjeve lokale. Me të drejtë pyesin, dreqi e mori a mundet që Shqipëria të bëjë një palë zgjedhje siç duhet dhe ne të vijojmë të merremi me çështje të tjera për t’ju afruar juve si shtet në Bashkimin Europian. Çështje kutish apo fletësh të hedhura gabim kur vjen puna për zyrtarët e Brukselit kjo kthehet thjesht në një detaj, por kur jeni në Tiranë kjo është një çështje që merr rëndësi. Për diplomatët në Bruksel është e rëndësishme thjesht mbajtja e zgjedhjeve normale dhe kaq”.

Por cila është kostoja që shqiptarët pritet të përballen pasi testi i vënë nga Europë për zgjedhje të pranueshme nga palët nuk u realizua. Tim Judah thotë se përveç disa vite humbje kohe kjo do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë edhe në investimet e huaja.

TJ – “Po, tani Shqipërisë i duhet të presë edhe dy vjet të tjera pas një shpërdorimi dy vjeçar kohe. Këto vite që humbet Shqipëria nuk bëjnë gjë tjetër veçse e humbin besimin ndaj vendit tuaj, që do të thotë një vend pa besim përkthehet në një vënd me më pak investime, që në fakt edhe gjatë kësaj kohe nuk është se ka patur një rritje të investimeve të huaja. Mospasja e investimeve të huaja do të thotë më pak vende pune për shqiptarët. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë. Do të doja të shtoja se kjo vjen në një moment të vështirë duke parë se çfarë po ndodh me fqinjin tuaj Greqinë. Si do të reflektojë kriza greke tek qindra mijëra emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, ku po pakësohen vëndet e punës dhe ata janë duke u kthyer. Të gjitha këto të marra sëbashku formojnë një lajm të keq për Shqipërinë”.

Top Channel