Përkujtohet Lidhja e Prizrenit

10/06/2011 23:30

U përkujtua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një nga ngjarjet më të rëndësishme për kombin shqiptar.

Dhjetra intelektualë nga rajonet ku jetojnë shqiptarë u mblodhën në Prizren dhe bënë thirrje për hartimin një plaftorme të përbashkët e cila do t’i bashkonte shqiptarët në një shtet të vetëm.

Kreshnik Spahiu, Kim Mehmeti, Esat Stavileci e shumë të tjerë, shpalosën, sic thanë ata, nevojën urgjente për hartimin e një platforme mbarëkombëtare për zgjidhjen e cështjes shqiptare.

“Ajo që ka munguar historikisht për popullin shqiptar, por që vazhdon të mungojë edhe sot, është një platformë mbarëkombëtare, një vështrim i përgjithshëm për të ardhmen, një vlerësim për situatën kombëtare dhe për zgjidhjet që duhet t’i jepet kësaj situate. Për këtë arsye kam një mesazh të qartë për ju: Kombi dhe shqiptaria mbi interesat e partive politike, mbi interesat e politikanëve shqiptarë, prandaj ka ardhur kohë që të gjitha përshëndetjet me grusht, dy, tre, katër apo dhjetë gishta të përfundojnë me një simbol të vetëm, me përshëndetjen me flamur, më përshëndetjen me shqiponjë”, tha zoti Spahiu.

“Vitet e fundit të gjithë ne e ngjyrosëm kombin me blu, rozë, të verdhë, me të gjitha ngjyrat, dhe të gjithë tentonin që sa më pak shqiptaria të jetë kuqezi. Kuqezi do të thotë që edhe kur valvit flamurin partiak ta dish që ai flamur është vetëm një leckë e pavlefshme pa flamurin kuqezi”, tha nga ana tjetër, Kim Mehmeti.

“Shqipëria kombëtarisht e cunguar, Kosova me sovranitet të kufizuar, shqiptarët në Maqedoni me të drejta të privuara, shqiptarët në Kosovën Lindore të sunduar”, tha në fjalën e tij, akademiku, Esat Stavileci.

Në Prizrenin kuqezi nuk mund të mungonte futbollisti kombëtares, Lorik Cana.

“Jam përpjekur në fushën time, të jap jashtë vendit një imazh sa më dinjitoz dhe me vlera sa më të mira të vendit tonë dhe këtë do ta bëj deri në fund. Në njëfarë mënyre me kombëtaren e Shqipërisë jemi munduar të bëjmë një bashkim, dhe besojmë që ja kemi arritur të bëjmë një bashkim”, tha futbollisti kombëtares, Lorik Cana.

Aktivieti u zhvillua nën përkujdesjen e Komunës së Prizrenit. Kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja për disa caste “harroi” se vjen nga radhët e partisë në pushtet dhe kritikoi bashkësinë ndërkombëtare.

“Europa plakë i ka borxh kombit tonë. Lufta heroike e popullit shqiptar nuk lejoi rënien e Europës Perëndimore nën sundimin e sulltan Mehmetit II”, tha kreu i komunës, zoti Muja.

Edhe këtë herë, në qytetin e Prizrenit valviteshin flamujt kuqezi dhe mungonte ai shtetëror.

Top Channel