Greva e veteranëve të UCK në ditën e 18

09/06/2011 20:40

Veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në ditën e 18 të grevës, ndërsa numri i grevistëve po rritet nga dita në ditë.

Skënder Bajrami erdhi nga Kroacia para 4 ditësh për t’iu bashkuar grevës së bashkëluftëtarëve. Ai rrëfen se gjatë viteve ‘90 kishte veshur uniformën e ushtrisë kroate, ndërsa na tregon medaljen që e kishte marrë për shërbimin e tij.

Pothuajse janë bërë 3 javë që veteranët kanë vendosur tendat e tyre para qeverisë, ndërsa kërkojnë nga Kuvendi që të miratojë ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së.

Për Skënderin, që dikur kishte qenë edhe ushtar i UÇK-së, Kosova, në rastin e veteranëve, duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë.

“Institucionet e Kosovës të marrin shembullin e shtetit kroat, pasi kroatët kanë marrë shembullin e SHBA”, thotë Bajrami.

Numri i grevistëve ka kaluar 100, ndërsa mbështetja po u vjen pothuajse çdo ditë nga të gjitha zonat e dikurshme të UÇK-së, sikurse bënë ish-ushtarët nga komuna e Kaçanikut gjatë së enjtes.

Veteranët thonë se nuk u besojnë më deklaratave të zyrtarëve shtetërorë, të cilët kanë premtuar se brenda disa muajsh do ta miratojnë ligjin.

Greva do të ndërpritet vetëm kur Kuvendi të miratojë ligjin, përndryshe jo, shprehen të vendosur ish-luftëtarët, pavarësisht përkeqësimit të shëndetit.

“Do qendrojmë këtu deri në miratimin e ligjit sepse jemi lodhur vetëm me premtime”, deklaron Xhevdet Qeriqi, nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

Veteranët, ndër të tjera, kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të miratojë urgjentisht ligjin për vlerat e luftës dhe që UÇK-së e luftës së saj t’i bëhet njohje politike, duke e bërë kategori kushtetuese.

Top Channel