Top Fest 8, ritëm, shkëlqim dhe emocion

08/06/2011 19:25

Muzikë, ritëm, shkëlqim dhe emocion. Kjo ka qenë performanca e natës finale, Top Fest 8, një mbrëmje për t’u mbajtur mend, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.

Nata e ndarjes së çmimeve, i eventit më të rëndësishëm të gjinive të ndryshme të muzikës, rikonfirmoi suksesin e formatit që nisi, si risi, 8 vjet më parë, e që tashmë ka fituar “ekskluzivitetin” e promovimit të artistëve të rinj dhe hiteve të vitit.

Në një performancë “live”, këngët, shoqëruar nga orkestra e “Top Channel”, drejtuar nga Dorian Gjoni, u ngjitën në sfidën e fundit, ku çdo interpretim nga regjisori Ergys Lubonja dhe autorja Arbana Osmani ishin konceptuar si numër i veçantë artistik.

“Nga organizatorët ishte menduar që kënga ime të hapte një natë gala”, shprehet Eras Rusi.

Krijimi i Adrian Hilës nuk ishte zgjedhur rastësisht në top listën e këngëve të natës finale, “Ti e di” që mori jetë nga intepretimi i Era Rusit plotësonte kriteret për të qenë si numër hapës, për natën “gala”.

“‘Ti e di’ është edhe këngë komerciale, por ka edhe melodinë brenda”, thotë Era.

Nëntë fituesit e edicionit, në disiplina të veçanta, u ngjitën në skenë, njeri pas tjetrit, për të rrëmbyer trofetë. Çdo fjalë e tyre ishte emocionuese, gjë që e përjetoi edhe publiku.

Që në minutat e para Top Fest 8 kurorëzoi “Artistin e ri më të mirë”, çmim i akorduar nga fondacioni “Dritan Hoxha” i shkoi Angjelina Hadergjonaj me këngën “Një jetë nuk mjafton”. Emocionet e asaj nate i lexohen edhe sot kengëtares, katër ditë pas vlerësimit.

“Ka qenë një natë e paharruar, nga më të bukurat e jetës sime”, thekson Angjelina Hadërgjonaj.

Një eveniment që nis, sapo mbaron edicioni i rradhës. Thirrjes për një konkurim në këtë edicion të suksesshëm, në këtë sezon ju përgjigj dhe këngëtarja Anjeza Shahini, edhe pse flinte prej kohësh dëshira për të qenë pjesë e ketij festivali, Anjeza thotë se “priti momentin e duhur për të marrë vendimin e duhur”.

“Pjesëmarrjen e kisha menduar gjatë. Sa herë që ktheja kokën nga Top Fest-i, thosha se duhet të presë, por më pas vendosa”, thekson Anjeza Shahini.

Rrugëtimi i Top Fest 8 ka qenë i gjatë, bashkë me të edhe konkurimi i këngëtarëve. Evenimenti nisi në 14 shkurt dhe përgjatë 8 javëve të tij, konkuruan 128 këngëtarë, emra të njohur e të rinj, për të qenë pjesë e edicionit që ishte strukturuar në 8 javë prezantim, tre gjysmë-finale dhe nata finale.

Elvana Gjata me këngën “Me ty” triumfoi duke marrë çmimin e madh, “NRG Band” me “Rina, Rina” çmimin “Top Albania Radio”, “Tallava” e Flori Mumajesit çmimin e internetit, Flaka Krelani mori çmimin për “Këngën më të mirë rrok dhe alternativ”, “Artisti më i mirë mashkull” u kurorëzua Gent Bushpepaj, ndërsa Anjeza Shahini dhe Dren Abazi u vlerësuan si “Intepretimi më i mirë i Digitalb”.

“Cmimi ishte një nder i madh”, shprehet Anjeza Shahini.

Por, konkurrimi ka qenë i fortë për çmimin “Kënga më e mirë Pop dhe R&B”, të cilin e fitoi Xhensila Myrtezaj me “Engjëlli im”, ndërkohë që edicioni i surprizave u mendua të mos përfshinte në konkurim grupet muzikore, duke i mëshuar këngës dhe intepretimit. Po si ka qenë rrugëtimi për Anxhelika Hadërgjonaj dhe Era Rusin.

“Ishte një udhëtim i bukur me emocion”, thonë këngëtaret.

Ajo që ne pamë mbrëmjen e 5 qershorit, në ekranin e “Top Channel”, ishte transmetim në teknologjinë e fundit HD dhe Full HD në “HD3”, një spektakël madhështor në të gjithë komponentët: në prezantim nga Ledion Liço dhe motrat Vjollca, në paraqitjen e vlerave artistike një rrugëtimi të gjatë, që, sipas Shahinit, ka nisur disa vite më parë dhe që tani është konturuar plotësisht.

Dhe nëse merr pjesë qoftë edhe njëherë në Top Fest, eksperienca e bukur vlen për edicionet e tjera.

“U them të gjithë artistëve që të marrin pjesë në Top Fest 9, 10 dhe 11”, shprehet Era Rusi.

Nata finale e Top Fest 8 ishte një takim emocionues mes artistëve dhe publikut, ndërsa “çmimet” një atmosferë e magjishme që e krijuar prej atyre që dinë të projektojnë evenimente të tilla, për tjetrin kanë nisur të mendojnë që tani.

Top Channel