Dosja “Norga”

08/06/2011 08:00

Konflikti mes fabrikës së birrës “Norga” dhe bankës “Raiffeisen” është përshkallëzuar edhe më tej, pasi ditën e djeshme, policia ka arrestuar 6 punonjës të firmës private, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Bllokimi i fabrikës, për shkak se nuk ka paguar një pjesë të kredisë, me vlerë 19 milionë euro, ka shkaktuar mbylljen e aktivitetit, si veprim që bazohet mbi vendimin e gjykatës për ekzekutimin e kolateralit. Punëtorët paraqiten çdo ditë në ambientet e punës me shpresën e nisjes së aktivitetit, madje në disa raste kanë tentuar të kapërcejnë murin rrethues, që ruhet nga forcat e policisë.

Mësohet se 6 punëtorë janë marrë me forcë pa asnjë njoftim nga policia, edhe pse nuk po bënin asgjë. “Këta punonjës të fabrikës nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale”, janë shprehur kolegët e tyre. Punonjësit janë mbajtur të izoluar për më shumë se katër orë dhe më pas janë lënë të lirë, me kusht që në ditët në vazhdim të merren masa më të ashpra ndaj tyre nëse gjenden para fabrikës.

Top Channel