Tabela e Tiranës, me probleme

07/06/2011 20:45

Jonathan Stonestreet, shefi misionit të OSBE-ODHIR, i pyetur një javë më parë gjatë seancës dëgjimore në Komisionin Amerikan të Helsinkit për mospërputhjen mes numrit të votuesve dhe numrit të votave pas hapjes së 117 kutive në KQZ, dha një përgjigje duke lënë të kuptohet se dicka fshihet pas kësaj mospërputhjeje.

“Mund të them se mund të ketë gabime që prezantohen në proces në mënyra të ndryshme. Sërish, nuk dua të flas për numra, për shqetësimet që janë ngritur. E di që ka pasur shqetësim për këto diferenca. Tani për tani nuk mund të them se kush i ka shkaktuar këto diferenca”, deklaroi Stonestreet.

Pas kësaj deklarate të Stonestreet, ku ai nuk e përjashton mundësinë se dicka ka ndodhur, lind pyetja e thjeshtë që kërkon një përgjigje.

Kush dhe si është shkaktuar kjo diferencë tashmë e dokumentuar edhe në vendimin e KQZ të datës 23 maj për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar bashkie në Tiranë?

Tabela përmbledhëse, pika 1, jep shifrën 256,507 që është numri i zgjedhësve që kanë votuar, që do të thotë se po kaq duhet të jetë edhe numri i fletëve të votmit të gjetura në kuti.

Duke iu referuar gjithnjë tabelës përmbledhëse në pikën katër të saj, ku janë shënuar fletët e votimit të gjetura në kuti, kemi shifrën 257,377.

Nëse bëjmë një llogaritje matematikore duke zbritur shifrën e fletëve të gjetura në kuti me atë të numrit të zgjedhësve, diferenca është 870 vota.

Pra, 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar, shifër për të cilën edhe kreu i OSBE-ODHIR thotë se, “nuk e di kush i ka shkaktuar këto diferenca”, pa dashur të përmendë se kjo shifër është ndoshta edhe maja e aisbergut të një mashtrimi të mundshëm elektoral.

Duke qendruar përsëri në pikën katër të tabelës përmbledhëse ku janë shënuar fletë votimi të gjetura në kuti, vlen për t’u sqaruar se shuma totale e tyre logjikisht duhet të përbëhet nga vota të pavlefshme plus vota të vlefshme.

Si vota te pavlefshme ne tabelë janë shënuar 6,730, ndërsa të vflefshme 250,885. Duke mbledhur këto shifra duhet të prodhohet shifra e fletëve të gjetura në kuti, që është 257,377.

Në fakt llogaritë nuk dalin kështu. Kjo mbledhje prodhon shifrën 257,615, pra 238 vota më shumë nga numri 256,507 që është numri i zgjedhësve që kanë votuar.

Këto dy diferenca të dala nga një llogaritje e thjeshtë matematikore, duke nxjerrë mospërputhje të numrit të votuesve me numrin e votave në kuti, kërkon një përgjigje mbase nga Kolegji Zgjedhor.

Top Channel