Rastet tragjike të vdekjes në spital

07/06/2011 18:50

Marrëdhënia pacient-mjek karakterizohet mbi të githa nga besimi ndaj uniformës së bardhë, mirëpo ditët e fundit ky besim duket se është lëkundur disi.

Lajmet që vijnë së bashku me dëshimtë e të pranishmëve nuk janë fort ngushëlluese. Duket se prej kohësh në Shqipëri konsumohen herë pas here konflikte mes familjarëve të pacientëve dhe mjekëve. Kur një familjar humb jetën nuk është e lehtë të pranohet, por disa prej tyre duket se e gjejnë fajin tek mjekimet që ata kanë marrë.

Fatbardha Aliko është 49-vjçarja e cila ishte e shtruar në maternitetin e Korçës dhe pas një operacioni që në u deklarua i suksesshëm, u gjet e vdekur në tualetet e këtij institucioni.

Për njerëz të zonave rurale kontakti me mjekun është i shenjtë. Edhe vëllai i Fatbardhës ka qëndruar pranë mjekut gjatë githë kohës.

“Pas operacionit na thanë se gjithçka shkoi mirë”, shprehet vëllai i Fatbardhës.

Nëse një operacion mbart rrezikun edhe kur garancitë janë të mëdha, ndryshe ka qenë situata në spitalin e Beratit, një situatë që i ka nervozuar edhe më shumë familjarët e të ndjerit Ferdinand Merkaj. 46-vjeçari u paraqit në këtë spital pas një aksidenti automobilistik ku kishte thyer këmbën.

Nuk është rasti i parë që mjekë dhe familjarë konfrontohen, megjithëse duket e vështirë që një pacient jo ekspert në fushën e shëndetësisë të jetë në gjendje që të arsyetojë përballë bluzave të bardha pretendimet e rastit. Edhe në Spitalin e Beratit kjo përplasje ishte e pashmangshme. Edmond Zylyftari është mjeku i rradhës.

Në maternitetin e Korçës kirurg ishte doktor Gjergji Gjata. Fatbardha Aliko ishte pacientja që ai kishte operuar dhe që do të nxirrte nga spitali vetëm pak ditë më vonë. Sipas porosisë së mjekut, ajo u ngrit të lëvizte dhe sapo mbërriti në tualet nuk pati më shpresa.

Në të dyja rastet Prokuroria ka marrë në dorë dosjet. Edhe pse në të shkuarën ka pasur probleme me kryerjen e autopsisë, në rastin e të ndjerës Aliko përgjigjet nuk do të vonojnë.

Ndryshe duket situata në rastin e të ndjerit Merkaj, në Berat. Mjekohej për këmbën e thyer ndërsa në Tiranë u shpall i vdekur pas traumës së mëlçisë. Dy jetë që brenda pak ditëve kanë humbur në rrethana që nuk duhej të kishin humbur. Një sistem shëndetësie i vënë në pikëpyetje rreth cilësisë së shërbimit dhe mbi të gjitha rreth masave që do të merren këtë herë nëse arrihet në konkluzionin se këtë herë ka qenë ndonjë neglizhencë e mjekëve apo jo.

Top Channel