Finalja e “Top Fest 8”

04/06/2011 20:55

Pas një rrugëtimi disamujorë “Top Fest 8” ka mbërritur në natën finale, që do të zhvillohet ditën e dielë në Pallatin e Kongreseve në orën 20:45.

Do të jenë 17 artistët që do të garojnë për 10 çmimet që do të jepen në kategori të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe çmimin e madh.

Prezantues të kësaj nate: Ledion Liço dhe me një stil ndryshe nga ai i prezantimit tradicional, motrat Marina dhe Luana Vjollca.

“Vjet ndodhi një revolucion i madh, për herë të parë në ‘Top Fest’ u këndua live, siç nuk ndodh në festivale të tjera në Shqipëri. Këtë vit kjo do të kombinohet me shumë gjëra të tjera si performancë të jashtëzakonshme edhe shumë elementë të ndërthurur që do të sjellë në ekranin e TCH një prej netëve më të bukura të të gjithë vitit. Kam vetëm një sugjerim që atë natë secili prej jush të jetë para TV dhe të shijoni një prej netëve televizive më të bukura të vitit”, thotë Liço.

“U bë shumë kohë e gjatë që jam me ‘Top Fest’ në këtë rrugëtim dhe jam shumë i lumtur. Për mua çdo vit ka dy gjëra të rëndësishme, ditëlindja ime dhe nata finale e TF. Fatmirësisht të dyja i bien në të njëjtën ditë, kështu që dyfishë i lumtur për këtë”, thekson Liço.

“Ky TF do të ketë shumë risi”, shprehet Marina.

“Është e vërtetë. Do jemi dy motra siç nuk na keni parë më parë”, shton Luana.

Autore e “Top Fest” Arbana Osmani, drejtor Artistik Dorian Gjoni, regjia Ergys Lubonja, skenari Dalina Buzi, skenografia Fatmir Minga.

Ashtu sikurse është kthyer në traditë këto vitet e fundit, përpara çeljes së mbrëmjes së festivalit, një vëmendje speciale do t’i kushtohet tapetit të kuq, ku do të shkelin këngëtarët në garë dhe të ftuarit.

Gazetarja Elona Duro do të zhvillojë intervista, që do të transmetohen direkt në kanalin e “Digitalb”, “MyMusic”.

“Top Fest” nisi me 14 shkurt. Ishin 130 artistët pjesëmarrës në fazën e parë, nga Shqipëria e të gjitha trevat shqipfolëse.

Këngëtare të afirmuar në muzikën vendase, por edhe të rinj. Në fazën e dytë, së cilës iu dedikua emisioni “Reëind”, kaluan 64 prej tyre.

Në gjysmëfinale u reduktuan në 33, për të mbërritur në 17–shen e natës finale.

“Top Fest”, për të zbavitur publikun, për të sjellë tendecat më të reja muzikore, për t’u dhënë mundësi më shumë, artistëve tanë kudo që ndodhen, për të promovuar artin shqiptar!

Top Channel