Rama: Drejtësia të vendosë drejtësi

31/05/2011 13:50

Kryesocialisti Edi Rama deklaroi se sot është koha që drejtësia të
vendosë drejtësi, pasi janë në lojë fatet e demokracisë shqiptare.

“Vendimi i Kolegjit nuk është thjesht një domosdoshmëri për të legjitimuar një rezultat që e panë të gjithë, por edhe për të mos rritur koston për vendin dhe njerëzit, të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët, përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu që për fat të keq është kryeministri i këtij vendi, i cili nuk ka pranuar kurrë humbjen dhe që nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin”, tha Rama.

Duke folur në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama theksoi se KQZ-ja po zbaton projektin e kryeministrit Berisha për të grabitur medoemos fitoren e opozitës në Tiranë.

Rama theksoi se presidenti Topi, ambasadorët, ndërkombëtarët e po ashtu edhe opozita kërkojnë që drejtësia të jape drejtësi.

Kryesocialisti theksoi se opozita do të mirëpresë kontributin e Komisionit të Venecias dhe cdo kontribut tjetër për të ndalur produktin e deformuar të kanibalizmit elektoral.

Top Channel