McIlwham: Mbështesim institucionet e pavarura

31/05/2011 13:30

Qeveria e Britanisë së Madhe është duke ndjekur me shumë interes
zhvillimet e fundit post-zgjedhore në Shqipëri, duke u pozicionuar haptas,
në mbështetjen dhe inkurajimin e institucioneve të pavaruara sic janë
Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria e Përgjithshme.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë procesin zgjedhor dhe situatën politike nga afër dhe me shqetësim” thuhet në një deklatë të lëshuar mesditën e sotme nga ambasadorja e mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Në deklatatë theksohet se për Londrën dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, ajo që ka rëndësi është një proces i besueshëm i cili ka besimin e publikut shqiptar.

“Do të ishte një zhgënjim i madh në qoftë se çështjet rreth numërimit dhe ankesave do të lejohen të hedhin hije mbi pjesën e mirë të këtij procesi zgjedhor”, vijon deklarata.

Ambasadorja Fiona McIlwham
e konsideron si shumë të rëndësishëm rolin e Kolegjit Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme duke deklaruar se: Unë shpresoj se atyre do t’i jepet hapësirë për të shqyrtuar çështjet pa ndërhyrje politike apo presion. Baronesha Ashton si edhe të tjerët e bëri të qartë javën e kaluar, se procedura e ankesave duhet të jetë e drejtë, transparente, e pavarur, dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme të sigurojë mbështetje shtesë nëse kërkohet. Përfundimi i procesit të ankesave duhet të pranohet nga të gjitha palët, në mënyrë që të hiqet një vijë nën këto zgjedhje, të nxirren mësimet e duhura, dhe të miratohen dhe zbatohen reformat”.

Deklarata e kryediplomates britanike mbyllet me fjalët se “qeveria e vendit të saj, dëshiron ta shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE”. “Shqipëria do ta arrijë këtë, – thotë ambasadorja, – vetëm me institucione profesioniste, të forta, që veprojnë të pavarura dhe me integritet”.

Top Channel