Durrës, vijon ndotja e plazhit nga ujërat e zeza

31/05/2011 14:20

Ndonëse temperaturat e larta kanë bërë që kryesisht në fundjavë plazhet
të jenë plot, zyrtarisht sezoni turistik nuk është celur ende në Durrës.

Këtë fillimjave Ndërmarrja Komunale e plazhit ka nisur plugim-dizinfektimin e rërës në sipërfaqen prej 17 hektarësh të plazhit, ndërsa është kryer pastrimi i bregut nga leshterikët. E ndonëse masat në drejtim të pastërtisë kanë nisur të merren duket se plazhi më i madh në vend edhe gjatë këtij sezoni do të vuajë problematikën e hershme. Mungesa e nyjeve hidro-sanitare, vazhdimi i ndotjes së plazhit nga ujërat e zeza, ndonëse fenomeni është më kritik në zonën përtej Plepave, si dhe mungesa e shërbimit të ndihmës së shpejtë në plazh ngelen ende një problem.

Kullat e vrojtimit që kanë rënë pre e agjentëve atmosferikë dhe gumbulluesve të skrapit ofrojnë një pamje të shëmtuar këtë fillim sezoni dhe janë larg funksionit të tyre, ndërsa një tjetër problem që lidhet me ndotjen e ujërave detare nga mungesa e banjove publike ngelet gjithashtu i pazgjidhur. Vendosja e përfolur e dusheve dhe tualeteve portative, plastike në fund të brezit të rërës për të plotësuar nevojat e pushuesve duket se nuk ka gjetur miratim nga drejtues të komunales së plazhit, vetëm në rast se ato do të mund të lidhen me rrjetin kryesor të kanalizimit të ujërave të zeza në plazh e të shkarkojnë në të, në të kundërt ato do të ktheheshin në ndotës të mjedisit.

Top Channel