Shkollat e rrënuara

23/05/2011 20:40

Arsimi është shtylla mbi të cilën duhet të mbështetet e ardhmja e një shoqërie të fortë e të shëndoshë, por në Shqipëri nuk ndodh kështu.

Përtej qyteteve të mëdha fshihet një fytyre tjetër, me shkolla të rrënuara e fëmijë që preferojnë më mirë të qëndrojnë rrugëve sesa të mësojnë në godina që i përngjajnë stallave për bagëtinë. Një realitet i dhimbshëm të cilin në 20 vjet politika është përpjekur ta ndryshojë vetëm me fjalë.

Një godinë e kalbur që mezi mbahet në këmbë mes lagështirës që ka shtrirë rrënjët në muret e rrjepura keqazi e kthinave në klasat e ftohta e të errëta ku dhjetra nxënës duhet të ndjekin çdo ditë orët mësimore.

Fëmijët e fshatit Balaj të Lushnjes janë shkrirë me këtë realitet të zymtë në të cilin janë harruar e nga ku prej vitesh e vitesh ikin e vijnë breza të tërë nxënësish. Kolibja e sakatosur është streha e tyre e vetme, vendi ku duhet të hedhin hapat e parë.

“Ja, këtu s’ka xhama, s’ka dërrasë të zezë, s’ka banka”, thotë një fëmijë.

“Ne kur bie shi ngordhim së ftohti këtu”, shton një tjetër.

E vështirë të besohet që kjo godinë e gjymtuar nga të katër anët nuk ka më shumë se 14 apo 15 vjet mbi shpinë. Mesa duket në 1996, kur edhe është ndërtuar, fondet janë hedhur në mënyrë të përgjysmuar apo duke përfunduar diku mes xhepa shtetarësh. Ish-kreu i komunës Karbunarë tregon të pakten tre letra të dërguara që prej vitit 2007 Ministrisë së Arsimit, drejtorisë rajonale Fier, Drejtorisë Arsimore Lushnje si informacion për gjendjen e shkatërruar të kësaj shkolle, nëse vërtet mund të quhet ende e tillë.

Nga Balaj në Sulzotaj të Lushnjes, përveç kilometrave asgjë tjetër nuk ndryshon.

Një shkollë që duket sikur do të rrëzohet nga çasti në çast, të cilës as bojatisja e keqe nuk ja mbulon dot amortizimin ekstrem, mes mureve të kërrusur e tavanit të shqyer nga vitet.

Klasat pasojnë njëra-tjetrën, nën të njëjtin imazh të rrudhur e të braktisur.

Udhëtojmë drejt Bulqizës në fshatin Strikçan. Një shkollë apo një haur për bagëtinë, është e vështirë të bësh një diferencë nëse nuk do të ishte për fytyrat e pafajshme të nxënësve që rrijnë, shpresojnë, mësojnë e mbi të githa ëndërrojnë diçka më shumë.

Balaj, Sulzotaj, Strikçan e më pas në Brat të Krujes, në fshatin pa shkollë, ku nxënësit mësojnë në një shtëpi private falë dëshirës së një mësueseje që për më tepër nuk merr asnjë mbështetje nga shteti.

“Unë e kam bërë thjesht për bamirësi për këta fëmijë, vetëm që këto të mos ngelin pa shkollë, pa mësuar. I kam quajtur si të thuash si fëmijët e mi”, shprehet Flora Kulla.

Vite e vite premtime të majta e të djathta e asgjë më shumë.

E teksa shteti nuk duket kërrkund, një privat i lodhur nga 20 vjet pritje ka nisur të hedhë muret e ndërtimit të një godine me fondet e tij, një shkollë që do t’i bënte të ndiheshin edhe fëmijët e Bratit si bashkëmoshtarët e tyre në Tiranë a diku gjetkë në qytetet e mëdha.

Nga ekstremi në ekstrem, në Korçë, në shkollën 95-vjeçare të Boboshticës, e cila duket se po jeton grahmat e fundit në luftën për t’i mbijetuar braktisjes së nxënësve që zgjedhin shkollën greke Omiros.

Diku mes kodrash e kthesash, jo larg nga qytetet e mëdha qëndron i fshehur ky realitet i dhimbshëm që shkon përtej godinave të shkatërruara e të parikonstruktuara, përtej mureve të çarë e tavanëve të frikshëm, përtej mashtrimeve e fondeve që kanë përfunduar majtas e djathtas nuk dihet se ku.

Përtej slloganeve për Shqipërinë në moshën e internetit qëndron realiteti tjetër, ai që mund të lexohet më mirë se kudo në sytë e këtyre fëmijëve, të cilët presin ende që dikush, përveç fjalëve, të bëjë edhe diçka më shumë.

Top Channel