Dyshimi për rrëzimin e helikopterit ku ndodhej Raisi, presidenti Iranian i zhdukur! Ministri i Brendshëm: Do të na duhet kohë ta gjejmë

19/05/2024 18:22
Ekip i kërkim-shpëtimit në vendin ku dyshohet se është rrëzuar helikopteri i Raisit

Është ende e paqartë nëse helikopteri me të cilin udhëtonte presidenti i Iranit, Ebrahim Reisi është rrëzuar apo ka bërë ulje të detyruar për shkak të mjegullës së dendur në vendin ku ndodhej, rreth 600 kilometra larg Teheranit.

Mediat e huaja bëjnë me dije se Gjysmëhëna e Kuqe ka dërguar 40 ekipe të kërkim shpëtimit për të bërë të mundur gjetjen e Raisit.
Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha se disa skuadra shpëtimi janë ende në kërkim të helikopterit.

“Gjërat janë nën kontroll dhe ekipet e shpëtimit po bëjnë punën e tyre. Shpresojmë që kjo të bëhet sa më shpejt,”– u shpreh Vahidi duke shtuar se “do të duhet kohë për të arritur në vendndodhjen e helikopterit për shkak të kushteve të këqija të motit”.

Mësohet se përveç presidentit, në bord ishin: Mohammad Ali Al Hashem, imam i Tabrizit; Hossein Amirabdollahian, Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike; Malik Rahmati, guvernator i Azerbajxhanit Lindor; piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga rojet.

Top Channel