A është marrë deputetja e PS, Sara Mile nën hetim për korrupsion në zgjedhje? Ja si përgjigjet kreu i SPAK, Klodian Braho
Prokuroria e Posaçme nuk paraqiti një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, pasi, pavarësisht shtimit të tri akuzave, nuk u siguruan prova dhe rrethana të reja që të justifikonin rëndimin e masës së sigurisë.
Sic raporton gazetarja Anila Hoxha, kreu i SPAK, Klodian Braho, shpjegoi se vendimi i mëparshëm i Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së prokurorisë kishte fuqi detyruese, edhe pse SPAK vijon të vlerësojë se kërkesa e tij duhej të ishte pranuar.
Braho argumentoi se zgjerimi i hetimeve dhe shtimi i akuzave për korrupsion pasiv dhe pastrim parash rënduan pozitën procedurale të Ballukut, por nuk përbënin, të vetme, bazë të mjaftueshme për një kërkesë të re për masë më të rëndë sigurie.
“Ne vazhdojmë të themi se për kërkesën që kemi bërë ekzistojnë kushtet për t’u pranuar”, deklaroi Braho, ndërsa prokurori Bejko shtoi se Kuvendi kishte vendosur kufij.
Sipas Brahos, Kuvendi kishte shqyrtuar më parë provat dhe pretendimet e SPAK, duke vendosur të mos pranonte kërkesën për autorizim. Ky vendim, sipas tij, ishte detyrues për veprimet e mëtejshme procedurale të prokurorisë.
Megjithatë, hetimet vijuan dhe SPAK arriti të provonte tri akuza të tjera, të cilat nuk ekzistonin në momentin kur ishte paraqitur kërkesa fillestare në Kuvend.
“Pavarësisht kësaj, hetimet vazhduan dhe kemi arritur të provojmë tri akuza të tjera të reja. Këto veprime që ka kryer prokuroria pas këtij momenti, duke shtuar tri akuza që nuk ekzistonin në momentin që u paraqit kërkesa, tregojnë vullnetin për hetimin e kësaj çështjeje”, u shpreh Braho.
Në argumentimin e tij, Braho iu referua neneve 228 dhe 260/3 të Kodit të Procedurës Penale, që përcaktojnë kushtet për caktimin dhe rëndimin e masave të sigurimit personal.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme kishte analizuar katër elemente: rëndimin e nevojave të sigurimit, rrezikun e prishjes së provave, rrezikun e largimit nga vendi dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale.
Për rëndimin e nevojave të sigurimit, Braho iu referua raportit të shumicës parlamentare në Këshillin e Mandateve, ku argumentohej se zgjerimi i hetimeve nuk përbënte automatikisht rrethanë të re që justifikonte një masë më të rëndë.
“Në këtë kuptim, zgjerimi i hetimit penal nuk përbën në vetvete një rrethanë të re procedurale”, thuhej në raportin e shumicës, të cilit iu referua prokurori.
Braho solli në vëmendje edhe vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë të 9 prillit 2026, sipas të cilit rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të përcaktohet automatikisht vetëm nga natyra e krimit apo masa e dënimit të parashikuar.
Për rrjedhojë, shtimi i akuzave për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, megjithëse rëndonte pozitën procedurale të Ballukut, nuk ishte i mjaftueshëm për të kërkuar një masë tjetër sigurie.
Sa i përket rrezikut të prishjes së provave, Braho shpjegoi se pas vendimit të Kuvendit nuk ishin zbuluar rrethana të reja që të mbështesnin dyshimet se Balluku mund të ndikonte në mbledhjen e provave apo te dëshmitarët.
Edhe për rrezikun e largimit nga vendi, sipas argumentimit të SPAK, nuk ishin zbuluar të dhëna të reja që të tregonin se Balluku kishte planifikuar apo kishte ndërmarrë veprime konkrete për t’iu shmangur drejtësisë.
Një tjetër argument lidhej me faktin se Balluku nuk ushtronte më funksione ekzekutive. Braho shpjegoi se në momentin e paraqitjes së kërkesës në Kuvend, ajo mbante detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres, ndërsa më pas ushtronte vetëm mandatin e deputetes.
Sipas SPAK, kjo rrethanë e kishte bërë më të vështirë argumentimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale, pasi funksioni i deputetit nuk përfshin kompetenca individuale për menaxhimin e fondeve buxhetore apo procedurave të prokurimit publik.
Në përfundim të këtij vlerësimi, SPAK argumentoi se, në mungesë të provave të reja për rrezikun e prishjes së provave, largimit nga vendi apo përsëritjes së veprës penale, nuk kishte argumente ligjore dhe prova të mjaftueshme për një kërkesë të re në Kuvend.
Prokurori solli në vëmendje edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi më 23 korrik 2026 për veprimtarinë e SPAK, ku rekomandohej rishikimi i praktikës së masave të sigurimit personal, respektimi i proporcionalitetit dhe shmangia e paraburgimit të panevojshëm.
Sipas Brahos, ky rekomandim shprehte edhe qëndrimin e Kuvendit për praktikën e masave të sigurimit, ndërsa vendimi i mëparshëm për Ballukun duhej zbatuar nga prokuroria.
“Prokuroria ka mbajtur të njëjtin standard dhe rezultati lidhet me veprime të tjera që nuk varen nga Prokuroria e Posaçme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse ka hetime të tjera ndaj Belinda Ballukut, Braho deklaroi se aktualisht nuk ka një hetim tjetër dhe se dosja po dorëzohet në gjykatë.
“Nuk kemi hetim tjetër për zonjën Balluku. Hetimet që kemi po i dorëzojmë sot në gjykatë. Nëse do të ketë hetim tjetër, do të vendoset nga prokurorët e çështjes”, deklaroi ai.
Prokurorët u pyetën edhe nëse hetimi për pastrimin e parave do të vijojë. Prokurori Prenci shpjegoi se SPAK do të paraqesë kërkesën për gjykim për faktet penale që mbështeten nga provat e grumbulluara.
“Ne do të dërgojmë kërkesën për gjykim për faktet penale që i kemi sqaruar, që mbështeten nga provat e grumbulluara. Këto janë rezultate të hetimit që janë për këto fakte penale, nuk kemi gjë për të ndarë”, u shpreh Prenci.
Top Channel