Sot, në orën 21.00, nis Festivali Europian i këngës, Eurovizion 2011.

Në këtë mbrëmje, që konsiderohet si gjysmëfinalja e parë, do të marrë pjesë në konkurrim edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Aurela Gaçe, me këngën e titulluar “Kënga ime”, në versionin anglisht “Feel the passion”.

Gaçe, e cila pak ditë më parë u kosiderua nga agjensia e lajmeve Reuters si diva e muzikës shqiptare dhe u krahasua me Tina Turner, sot do të konkurojë me 18 përfaqësues të shteteve të tjera. Nga 19 këngët në total të gjysmëfinales së parë, 10 prej tyre do të përzgjidhen për natën finale.

Në gjysmëfinalen e dytë që do të mbahet më 12 maj, do të ketë 19 përfaqësues të tjerë. Edhe nga kjo fazë do të përzgjidhen 10 këngë.

Në natën finale që do të zhvillohet më 14 maj, 20 këngët në total të dala nga dy gjysmëfinalet do tu bashkohen grupit që konsiderohet si “Big Five”, pesëshja e madhe e përbërë nga shtetet: Spanjë, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Francë dhe Itali.

Fituesi përzgjidhet nga televotuesit dhe juritë profesioniste të shteteve pjesëmarrëse. Sipas Reuters, pritet që natën finale ta ndjekin më shumë se 100 milionë njerëz nga 45 shtete.

Këtë vit Eurovizion zhvillohet në Gjermani, pas fitores në 2010-n të këngëtares 18-vjeçare gjermane Lena me këngën “Satelit”.

Top Channel