Taksa progresive, tërhiqet qeveria

06/05/2011 15:45

Pas debateve që hapi në publik, qeveria ka tërhequr në momentin e fundit
projektligjin që rikthente taksimin progresiv në Shqipëri.

Një ditë më parë, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar zyrtarisht këshillin konsultativ të biznesit për tërheqjen e draftit, i cili nuk u mirëprit nga sipërmarrësit, pasi rriste fort barrën për një pjesë të biznesit me norma të larta fitimi. Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel, se drafti do të riformulohet plotësisht, por ende nuk është e qartë nëse në projektligjin e ri do të mbetet parimi i taksimit progresiv.

Drafti që paraqiti fillimisht për diskutim Ministria e Financave rikthente taksimin progresiv në Shqipëri, të cilin qeveria e braktisi katër vjet më parë me futjen e taksës së sheshtë në nivelin dhjetë për qind.

Ai parashikonte dyfishimin e tatimit mbi fitimin për ato biznese që kishin norma më të larta fitimi se 20 për qind e xhiros vjetore dhe trefishimin e taksës për bizneset me rentabilitet mbi 30 për qind. Sipas përfaqësuesve të biznesit projekltigji në formën që u paraqit nga Ministria e Financave prekte deri në 1 mijë kompani në vend të shtrira në të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos në ndërtim dhe disa degë të tjera.

Drafti u komentua nga ekspertët si një tërheqje e qeverisë nga taksa e sheshtë, të cilën kryeministri shpesh e cilëson si një nga reformat më të suksesshme të qeverisë së tij, dhe që sipas zotit Berisha e shndërroi Shqipërinë në një nga vendet me barrën më të ulët fiskale në Europë.  

Top Channel