Sterkaj: Berisha, aleancë me armiqtë

05/05/2011 21:40

Për deputetin socialist Paulin Sterkaj, kryeministri Berisha ndodhet sot në një pozitë të vështirë për shkak të aferave korruptive që kanë përfshirë qeverinë e tij.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Sterkaj ka deklaruar se për këtë arsye Berisha ka bërë aleancë me armiqtë e tij të dikurshëm.

“Sot me Berishën janë Nano, Meta, Idrizi, Harasani dhe Kastriot Islami. Kjo mua më bën cudi, sepse as Idrizi, as Harasani nuk dhanë votën për presidentin. Sot për cudi, ata gjenden të gjithë tek Berisha. kjo më bën shumë përshtypje”, ka deklaruar Sterkaj.

Sipas tij, ndërkohë që Berisha dhe aleatët e tij janë të zhytur në korrupsion, kryetari i PS Edi Rama është personi më i pastër i politikës shqiptare, gjë të cilës i druhet mazhoranca.

“Berisha ka shumë probleme me korrupsionin, tek ministrat, tek familja, tek Lulzimi, etj. Prandaj sot Berisha ka aleancë me Harasanin, Nanon dhe Islamin. Ramën këta e shohin si rrezik për të ardhmen. Ai është i vetmi person që s’është përfshirë në korrupsion”, ka deklaruar Sterkaj.

Më tej, deputeti i PS ka denoncuar tentativat që sipas tij po bën mazhoranca për të manipuluar zgjedhjet e 8 majit, me emra të dublikuar në listat e zgjedhësve.

Top Channel