Rama: Një qeverisjë për qytetarin

05/05/2011 20:10

Në vijim të turit elektoral socialistët zbritën në Rrëshen, në mbështetje të kandidatit Ndue Kola. (UPDATE)

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri thirrje mirditorëve dhe gjithë shqiptarëve t’i thonë “kurrë më” qeverisë Berisha, që sipas tij e ka kthyer Shqipërinë në një bace private.

“Është dita për të rivendosur traditën e vjetër qytetare, traditën e vjetër të mirditorëve, traditën e respektit për të gjithë dhe për t’i prerë rrugën atyre që vënë shtetin në kurriz të qytetarit për presione e kërcënime, që janë treguesi i humbjes”, deklaroi Rama.

Duke e vënë theksin tek pakti qytetar, zoti Rama tha se në qendër të tij do të jenë familjet e thjeshta, të lëna në harresë nga qeverisja akuale.

“Do ta reduktojmë TVSH-në për ushqimin bazë dhe do ta heqim për bukën, qumshtin dhe vezën. Kështu do të ulim cmimin e ushqimit bazë dhe nuk do të lejojmë që asnjë njeri i këtij vendi të mos lagë buzët me qumësht”, tha Rama.

Nga Rrësheni në Koplik, kryesocialisti ruajti në thelb të fjalës së tij mbështetjen që do të marrin familjet në nevojë, të rinjtë, pensionistët dhe bizneset pa dallime partiake.

“Ne do kujdesemi, do ta përkrahim dhe mbrojmë cdo familje të zakonshme. Asnjë taksë nuk do të paguajnë familjet në nevojë”, theksoi Rama.

Një thirrje të vecantë zoti Rama ia kushtoi të gjithë shqiptarëve të cilëve u kërkoi të marrin në mbrojtje, sic tha ai, mësuesit e fëmijëve të tyre, që sipas kryesocialistit po dhunohen cdo ditë nga pushtetarët aktualë.

Sipas liderit të opozitës, vota për kandidatin Nazmi Hasani është votë për të ardhmen e Koplikut, ashtu si mbështetja për të gjithë kandidatët e koalicionit Aleanca për të Ardhmen anembanë Shqipërisë.

Top Channel