PDIU mbyll fushatën, kërkon votën

05/05/2011 19:10

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka mbyllur me një miting madhështor në sheshin “Nënë Tereza” fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit.

Në fjalën e tij, kryetari i nderit i partisë, Tahir Muhedini ka kërkuar votën e shqiptarëve për të zgjidhur, sic tha ai, cështjet e kombit.

“Meritojmë votën e cdo shqiptari për të zgjidhur problemet e kombit. Votoni PDIU për të forcuar cështjen kombëtare dhe cështjen came”, ka deklaruar Muhedini.

Më tej, Muhedini ka konfirmuar mbështetjen e PDIU për kandidatin e Partisë Demokratike për Tiranën, Lulzim Basha.

Ndërsa kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka shprehur bindjen e tij për mbështetjen e qytetarëve, duke qenë se kauza kryesore e saj është cështja kombëtare.

“Nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari drejtësi për cështjen came. Me votën tuaj do të bëni të mundur që PDIU të ketë një rol vendimmarrës”, ka deklaruar Idrizi.

Ai ka theksuar më tej se, shqiptarët do shkojnë në Evropën e bashkuar me kokën lart dhe me dinjitet dhe ka shtuar se për këtë është e rëndësishmë ecuria e zgjedhjeve.

Top Channel