Minxhozi: Situata drejt shpërthimit

05/05/2011 22:00

Analisti Skënder Minxhozi shprehet skeptik për situatën parazgjedhore që po shkon drejt fundit dhe për atë ku do të zhvillohen zgjedhjet e ditës së diel.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Minxhozi ka deklaruar se situata aktuale e tensionuar e ka zanafillën tek zgjedhjet e 28 qershorit.

“Ka pasur një kalvar kontestimesh politike në këtë vend, më të ashprat në 20 vitet e fundit, me greva, bojkote dhe hapje kutish nga prokuroritë e rretheve, të cilat në disa raste kanë qenë të tmerrshme. Si për të mos mjaftuar ky dekor, kemi një fakt preokupues për këto zgjedhje, raporti i zgjedhjeve parardhëse nuk është analizuar për zgjedhjes pasardhëse”, ka deklaruar Minxhozi.

Sipas tij, fajtore për këtë janë të dyja palët, por më shumë mazhoranca që nuk i plotësoi opozitës kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të ardhshme.

“Për këtë e kanë fajin të dyja palët. Kur në fund të vitit të shkuar opozita kërkoi të marrë verifikimin e listave, atëherë mazhoranca në mënyrë arbitrare vendosi të mos ia lejojë këtë të drejtë minimale. Më pas, në tryezën e thirrur nga zoti Patozi në mars, sërish kjo nuk u pranua”, ka pohuar Minxhozi, i cili ka paralajmëruar tensionimin e situatës postzgjedhore.

“Pra, ndodhemi në kushtet e një amullie të madhe. Premisat janë që të ketë një kontestim”, ka shtuar drejtori i revistës “Mapo”.

Top Channel