Korcë, Berisha: Të arrijmë ëndrrën tonë

05/05/2011 20:50

Kryeministri Berisha ka mbyllur fushatën elektorale në Korcë, prej nga ka kërkuar votën e qytetarëve për realizimin e ëndrrës evropiane.

“8 maji është verdikti për ëndrrën e Korcës së 4 viteve që do të vijnë. Duhet të finalizojmë ëndrrën tonë evropiane me përkushtimin dhe vizionin tonë”, ka deklaruar Berisha.

Duke prezantuar kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Andrea Mano, kreu i qeverisë ka premtuar investime prej qindra miliona eurosh për infrastrukturën e Korcës.

“Në katër vitet e shkuara qeveria ka investuar në Korcë 40 milionë euro. Qeveria, për të bërë që distanca mes Korcës dhe Tiranës të shkurtohet, po investon gjysmë miliard euro”, ka saktësuar Berisha.

“Zotohem se Korca meriton 10 herë më shumë, se ne do të bëjmë 10 herë më shumë dhe me Andrea Manon do të shndërrojmë në realitet cdo projekt”, ka vijuar ai.

Më tej kryetari i Partisë Demokratike u ka kërkuar qytetarëve që më 8 maj të votojnë me dinjitet, duke shmangur “rrugën e vetmisë”.

“Le ta nderojmë 8 majin si qytetarë evropianë, më të bashkuar se kurrë, në shtëpinë tonë, ka vend për cdo korcar e korcare. Askush nuk duhet të mbetet në rrugën e vetmisë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel