Katër parqe të reja në Tiranë

05/05/2011 21:10

Vetëm pak metra larg selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, Edi Rama ka inspektuar përfundimin  e fazës së parë të punimeve në parkun qëndror të Tiranës, ku rruga “Abdi Toptani” është përfunduar tërësisht.

Kjo rrugë, e ndërtuar me gurë kalldrëmi, është vetëm për këmbësorët dhe jep mundësinë për zhvillimin e aktiviteteve për banorët e kësaj zone, përfshirë kushtet për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Projektuesit e parkut kanë realizuar një trajektore panoramike dhe historiko-kulturore duke riaktivizuar disa objekte monumentale historike, ku përfshihet edhe restaurimi i rrënojave të kalasë.

“Jemi këtu në zemër të kryeqytetit. Plani ynë është të krijojmë një park qëndror që të tregojë traditën e qytetit me rrënojat që kanë dalë në dritë dhe janë mobiluar. Por edhe për të vazhduar me një hapësirë të rikualifikuar në parkun e Parlamentit dhe për të vijuar me të gjitha hapësirat e tjera”, ka deklaruar Rama.

Zoti Rama ka folur edhe për disa projekte të tjera, sic tha ai, në vazhdën e transformimit të Tiranës.

“Është e rëndësishme të mos harrohet se një tjetër projekt që është në zbatim është ai i parkut të integruar të liqenit, kopshtin zologjik dhe atë botanik. Një tjetër park pret të fillojë të dalë në dritë dhe të bëhet pjesë e hartës së parqeve në këtë qytet, parku i stacionit të trenit, ku parashikojmë një transformim rrënjësor”, ka saktësuar Rama.

Nëpërmjet disa tabelave planimentrike Edi Rama ka shpjeguar me detaje projektet për ndërtimin e parqeve të reja.

Top Channel